Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 19 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar 17 raste të fruthit- kryesisht të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).
Sipas komunave, 7 raste janë regjistruar në Ferizaj, 4 raste në Prishtinë, 3 raste në Kaçanik, dhe nga një rast në Lipjan, Gjilan, Shtime dhe Fushë Kosovë.
Nga IKShPK kanë thënë se janë duke vazhduar aktivitetet për rritjen e vaksinimit në të gjitha nivelet.
Ky institucion u kishte bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse.
Në fund të muajit prill u bë e ditur për regjistrimin e tetë rasteve të fëmijëve me fruth në Kosovë.
IKSHPK kishte theksuar se fëmijët e prekur janë duke marrë trajtim spitalor, duke dëshmuar për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.
Falë vaksinimit, Kosova kishte qenë një ndër shtetet shembull në rajon sa i përket rasteve të prekura me fruth. Sipas të dhënave, në vitin 2019, Kosova kishte 95% mbulueshmëri me vaksinën kundër fruthit.
7 vite pas mbulueshmëria me vaksinën kundër Fruthit, Shytave dhe Rubellës (MMR) për dozën e parë ka rënë në 82%.
