Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në një njoftim për media thuhet se kursi përgatitor për oficer, kishte nisur pas marrëveshjes së arritur mes dy ushtrive shqiptare, në tetor të vitit 2025.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi.
Në mesin e oficerëve të rinj që përfunduan me sukses studimet ishin edhe 10 pjesëtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, një zhvillim që, sipas ministrit Maqedonci, paraqet një hap të rëndësishëm në ngritjen profesionale të kuadrove ushtarake.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe një dëshmi e investimit të vazhdueshëm për zhvillimin e kuadrove profesionale ushtarake sipas standardeve të NATO-s” , u shpreh Maqedonci.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes po thellohet vazhdimisht, veçanërisht në aspektin e edukimit dhe trajnimit ushtarak.
