Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    ​Kurti në Samitin e Berlinit: Duhet të angazhohemi fuqishëm në agjendën e integrimit në BE

    05/07/2021 19:00
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se BE-ja dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të ndërmarrin veprime të guximshme për të forcuar lidhjet reciproke në përshpejtimin e reformave që hapnin rrugën e aderimit në familjen e madhe evropiane.

    Ai në samitin virtual të Berlinit tha se Procesi i Berlinit u krijua në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët, por fatkeqësisht edhe shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë.

    “Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat. Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Disa palë ende po shtyjnë gjuhë që nuk është në përputhje me realitetin dhe as me frymën e Procesit të Berlinit. Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik, bazuar në njohjen e realitetit dhe të vërtetës, të drejtave të ekuilibruara të pakicave në të gjithë rajonin, përballjes me të kaluarën drejt pajtimit dhe me qytetarët si përfituesit përfundimtarë të dialogut”, tha Kurti.

    Ai ka thënë se pret që Komisioni Evropian të shqyrtojë propozimin për avancimin e marrëveshjes CEFTA në SEFTA, bazuar në modelin EFTA – EEA, pasi si e tillë do të kapërcente pengesat aktuale.

    Ndryshe, në takimin e ftuar nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, morën pjesë kryeministra të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

    Samiti u zhvillua në katër sesione të ndara ku u diskutua për të arriturat e Procesit të Berlinit bashkëpunimin rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për hapat e ardhshëm në këtë proces.

    Në sesionin e parë folën Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Emir Djikic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.

    Kryeministri Kurti mbajti fjalim në sesionin e dytë të samitit, ku folën edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

    Në sesionin e tretë të samitit diskutuan Sebastian Kurz, Kancelar Federal i Austrisë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Mario Draghi, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

    Në sesionin e katërt diskutuan Olivér Várhelyi, Komisioner për fqinjësi e zgjerim të Komisionit Evropian, Albert Hani, Sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Bashkëpunimit të të Rinjve të Rajonit, Mathias Cormann, Sekretar i përgjithshëm i OECD, dr. Hans Kluge, Drejtor rajonal për Evropë OBSH, dr. Werner Hoyer, President i EIB, Odile Renaud-Basso, President i EBRD, Rolf Wenzel, Guvernator i CEB, Christian Schmidt, Përfaqësues i lartë për Bosnje e Herzegovinë.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit

    Shkëlqesitë tuaja,

    Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel,

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Kolegë, Kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Liderë të BE-së dhe të Evropës,

    Si kryeministër i një vendi qytetarët e të cilit po mbahen të izoluar, duke mos iu lejuar liberalizimi i vizave, ne e kuptojmë plotësisht frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për mungesën e progresit në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, por megjithatë duhet ne të angazhohemi fuqishëm në agjendën e integrimit në BE, të demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik për qytetarët tanë.

    Siç e dini, në një palë zgjedhje të papara këtë vit në Kosovë, më shumë se gjysma e vendit votuan për ne dhe për programin tonë, për punë dhe drejtësi. Kjo është agjenda kryesore për qeverinë tonë sot: forcimi i sundimit të ligjit me një gjyqësor të pavarur, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi i një ekonomie të lirë dhe konkurruese, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe atyre civile, por edhe ruajtja e lirive themelore të mendimit, fjalës, medias dhe feve, sepse ne besojmë se demokracia është e nevojshme, jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por edhe për të qeverisur.

    Për Kosovën, Bashkimi Evropian fillon në shtëpi dhe ne nuk e shohim atë si një proces të zhvendosjes në BE, përkundrazi, ne e shohim atë si një proces reformash ku edhe ata që u larguan për mundësi më të mira ekonomike do të ktheheshin. Ne e kuptojmë që duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, por edhe BE-ja duhet të bëjë të vetat duke i mbajtur premtimet.

    Shkëlqesitë tuaja,

    Ne e dimë që Procesi i Berlinit u krijua në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët. Për fat të keq, shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë.

    Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat. Është për keqardhje që nuk pati përparim në marrëveshjet e negociuara me lehtësimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Disa palë ende po shtyjnë gjuhë që nuk është në përputhje me realitetin dhe as me frymën e Procesit të Berlinit. Kosova është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe më shumë integrim ekonomik, bazuar në njohjen e realitetit dhe të vërtetës, të drejtave të ekuilibruara të pakicave në të gjithë rajonin, përballjes me të kaluarën drejt pajtimit dhe me qytetarët si përfituesit përfundimtarë të dialogut.

    Duke ditur që korniza aktuale rajonale nuk mund të na përgatisë për pranimin në BE, në Tiranë unë kam propozuar që të avancojmë CEFTA-n në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale.

    Ne shpresojmë që Komisioni Evropian do ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë një dialog që do të çonte në rezultate konkrete.

    Nikoqires, kancelares Angela Merkel, faleminderit për fillimin e këtij procesi dhe për organizimin e këtij samiti të rëndësishëm. E di që ky është Samiti i fundit i Procesit të Berlinit nën udhëheqjen tuaj dhe në këtë format. Faleminderit që ishe drejtuese mikpritëse dhe shpresoj që angazhimi yt për rajonin të vazhdojë.

    Faleminderit të gjithëve dhe presim vazhdimin e Procesit të Berlinit.

    Artikuj të ngjashëm

    Hallakamë te Mati 1, punëtori i “Pastrimit” goditet nga vetura, ka edhe të arrestuar

    Aksioni i Antidrogës në Prishtinë rezulton me dy të arrestuar dhe sekuestrim të marihuanës

    Bënte veprimet të rrezikshme me motor në rrugë, gjobitet i riu nga Istogu

    Të Fundit

    Hallakamë te Mati 1, punëtori i “Pastrimit” goditet nga vetura, ka edhe të arrestuar

    Aksioni i Antidrogës në Prishtinë rezulton me dy të arrestuar dhe sekuestrim të marihuanës

    Bënte veprimet të rrezikshme me motor në rrugë, gjobitet i riu nga Istogu

    “Të kesh kujdes për sjelljet tua”, “Rrin në xhepin tim”: Detaje se si i jepte këshilla oficeri serb, Hysri Selimit

    Jo me ekskursione por me tabletë, komuna e Skënderajt shpërblenë me dhurata nxënësit e dalluar në gara (Dokument)

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.