Për kë ishin të panevojshme ngjarjet e vitit 1981?
Pas rënies së komunizmit dhe pas largimit të oligarkisë politike të Kosovës nga skena politike, madje edhe pas burgosjes së ndonjërit prej tyre, këta edhe më tej, nuk e ndërruan qëndrimin për ngjarjet e vitit 1981, por i ndërruan arsyetimet e qëndrimeve të tyre. Kështu, derisa ishin në pushtet, ngjarjet e ’81-shit për ta, doemos se ishin “kundërrevolucionare e armiqësore…”, kurse pas rënies nga pushteti, ato ngjarje për ta, na ishin të panevojshme, sepse vetë ata, me politikën e tyre, e paskan pasur mendjen që ta realizojnë çeshtjen e republikës!
Ngjashmëritë e rastit apo të qëllimshme?
Në një intervistë të bërë nga Baton Haxhiu me Mihailo Markoviqin – ideologun e PSS (siç e thekson edhe vetë), e cila është botuar në revistën “KOHA”, nr. 54/95, 29 mars 1995, f.13, në këtë intervistë, Mihailo Markoviq pos tjerash thotë: ”Udhëheqësit shqiptarë të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik….Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”.
Pra të njëjtat qëndrime, të Mihailo Markoviqit, i jep në vazhdimësi, madje pas kaq vitesh edhe Azem Vllasi, si dhe Jusuf Buxhovi, në romanin e tij “Dosja B”. Ngjashmëria po shihet, po cili është dallimi mes qëndrimit për ngjarjet e vitit 1981 mes akademikut serb Mihailo Markoviqit dhe Azem Vllasit, Jusuf Buxhovit, Baton Haxhiut?
Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe politikanët e Kosovës?
Sa i përket asaj që mund t’i ketë organizuar ndonjë shërbim i huaj (siç pretendohet nga Buxhovi, për Sigurimin e Shqipërisë, apo Mahmut Bakalli për shërbimin bullgar), Mustafë Sefedini, ish-Ministër i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Kosovës, që ishte pikërisht atë kohë në këtë detyrë, thotë se, “as Shqipëria dhe as ndonjë shërbim tjetër informativ nuk kanë pasur dorë në këto ngjarje”. Revista “KOHA”, nr. 99, 13 mars 1996, f .9.
Ndërkaq, dihen qëndrimet e Azem Vllasit për demostratat e vitit 1981, gjatë kohës sa ishte në pushtet. Por edhe pas rënjes së komunizmit, madje edhe pas burgosjes që i bëri Millosheviqi, në një shkrim të tij me titull: “’81-shi shumëdimensional”, Azem Vllasi e jep edhe këtë gjykim: “Konkretisht, për demostratat e vitit ’81, udhëheqja politike e Kosovës (shqiptarët) dhe tërë politika zyrtare, ishte unike në mendimin se ato, as si mënyrë e veprimit e as sipas rrethanave politike të atëhershme dhe kohës kur ndodhen, nuk ishin fare të qëlluara…”. Revista “KOHA” nr. 102, 3 prill 1996, f. 22. A nuk e kishte thënë të njëjtën gjë edhe Mihallo Markoviq madje në vitin 1995 po në revistën “KOHA”?
Po në këtë vazhdë është edhe teoria e supozimeve të Mahmut Bakallit…, i cili në Kosovë ndonëse njihej si më i afti në hierarkinë politike komuniste, (ndër përfaqësuesit shqiptarë) megjithatë pas luftës së Kosovës, nuk arriti të jap as arsyetmin më të vogël për pozitën e shqiptarëve në sferën e arsimit në kohën e Millosheviqit, (me rastin e dëshmisë së tij në gjyq kundër Millosheviqit, ku doli i turpëruar). Kështu del, kur njeriu është peng, dhe bishtin e ka të zënë në derë.
Atëherë, përderisa njeriu kyç i asaj kohe, në pozitën kyçe, (Mustafa Sefedini), thotë se nuk ka pasur informacione çfarë tash i mbllaqit Jusuf Buxhovi, Azem Vllasi e ndonjë tjetër, rrjedhimisht shtrohet pyetja: kush ka pasur informacione më shumë atëbotë: ata që kanë qenë në pozitat kyçe apo analistët e sotëm? Nëse ndonjë analist tallava, apo edhe historian tallava, “ka informacione tjera”: atëherë lind pyetja nga i siguruan ato informacione, përpos nëse këta njerëz, e kanë pasur benificionin e të qenit në laboratorin e prodhimit të informatave të tilla, përderisa ata të “laboratorit” të grumbullimit të informatave, thonë qartë, se nuk kanë pasur informata të tilla.
Cili ishte defekti i autonomisë së kosovës të vitit 1974?
Bajram Kosumi në librin e tij studimor «Revolucioni 1981», duke folur për Autonominë e vitit 1974 thekson: «Autonomia ka qenë një ornament i triumfalizmit! Kushtetuta e vitit 1974 u ka dhënë kompetenca më të mëdha krahinave, duke i bërë edhe elemente konstituive të Federatës Jugosllave dhe kjo padyshim ka «dëmtuar interesin e Serbisë» në Federatë, sipas interpretimit serb. Por, kjo kushtetutë asgjë nuk ka ndryshuar në përcaktimin e statusit të krahinave në aspektin shtetëror dhe në aspektin territorial: krahinat nuk kanë qenë republika, pra nuk e kanë pasur të drejtën e territorit e as të shkëputjes. Në çfarëdo situate të ndryshimit të sistemit federativ në Jugosllavi, krahinat do të mbeteshin pjesë të Serbisë dhe dy, territori i krahinave, po sipas kësaj Kushetute 1974 i takon shtetit të Serbisë. Kjo është pika e zezë të cilën e ka heshtur klasa politike zyrtare. Kjo është pikë e zezë, për të cilën Lëvizja e fshehtë patriotike e ka parë autonominë e Kosovës vetëm si një hap drejt një zgjidhje tjetër, më të favorshme, Republika e Kosovës. Kjo është pika themelore ndarëse midis këtyre dy klasave politike.
Fakti i parë që dëshmon kundër vizionit të klasës politike të Kosovës, se autonomia është një status triumfal, është mënyra e krijimit të kësaj autonomie: ajo është krijuar nga Tito, për ta heshtur pak nacionalizmin serb, mbas eliminimit politik të Aleksandër Rankoviqit, për të ndërtuar në ekonomi të tipit partikular, të përshtatur për republikat e zhvilluara, sidomos për Kroacinë e Slloveninë, të cilën Serbia nuk e pranonte. Prandaj Titos dhe grupit të tij i duhej një zgjidhje për të kufizuar ndikimin e Serbisë në Federatën Jugosllave dhe ky çelës ishte autonomia e Kosovës dhe e Vojvodinës.
Por Tito nuk do të shkonte asnjëherë deri në fund me nacionalizmin serb: nuk ja hoqi Serbisë sovranitetin dhe integritetin territorial mbi dy krahinat…
Fakti i dytë ka të bëjë me rrënimin e autonomisë së Kosovës. Kur u sulmua autonomia e Kosovës dhe klasa politike nuk mundi ta mbrojë në asnjë rrethanë, është dëshmia më e fortë se kjo autonomi ka qenë ornament i triumfalizmit, një dekoratë në gjoksin e madh të udhëheqësve politikë të Kosovës, për t’u lavdëruar para popullit shqiptar dhe një vulë e kësaj klase për ta ulur kokën para estabilishmentit në Beograd».
Vet Azem Vllasi e pranon se: «Atë pasdite, më 26 mars 1981, pas ndërhyrjes së Policisë Federative udhëheqja e Kosovës faktikisht humbi kontrollin mbi zhvillimet e metejshme, jo vetëm mbi zhvillimet momentale, por edhe mbi zhvillimet e mëvonshme të situatës politike» (Azem Vllasi: Kosova: fillimi që nuk harrohet, Prishtinë, 2017, faqe 271).
Dhe Bajram Kosumi me të drejtë pastaj konkludon: «D.m.th. ka mjaftuar një intervenim i milicisë federative kundër demonstruesve në Prishtinë që ta heq prej skenës politike jo vetëm të atyre ditëve, por nga gjithë skena politike, klasën zyrtare politike të Kosovës. Ky është rezultati i Kushtetutës 1974»!
Kushtetuta e vitit 1974 e mbante Kosovën të varrosur në sovranitetin territorial të Kushtetutës së Serbisë. Në rast se Federata Jugosllave do të shpërbëhej, territori i Kosovës në aspektin kushtetues i takonte Serbisë, sipas kësaj kushtetute të adhuruar prej klasës së politikës zyrtare, çka edhe ndodhi më vonë, pas shpërbërjes së RSFJ-së dhe formimit të bashkësisë shtetërore Serbi – Mal i Zi.
Garancinë për të vendosur vet për fatin e saj Kosova e fitonte vetëm me arritjen e statusit të republikës. Ky qëllim i dytë doli sheshit shumë shpejt, në Raportin e Komisionit të Badinderit, në të cilën republikave Jugosllave ju njoh e drejta e shkëputjes, por jo edhe Krahinave Autonome.(Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 214).
Pse i ikin të gjithë temës së moszhvillimit ekonomik të Kosovës, që ishte faktori kryesor për shpërthimin e revoltës popullore më 1981?
Edhe përkundër faktit se Kosova ishte e pasur, me minerale të shumta, toka pjellore shumë të përshtatshme për bujqësi si edhe një popullsi aktive për punë, prapëseprapë, Kosova si edhe viset me popullsi shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi ishin krahinat më të prapambetura në ish Jugosllavi. Kjo prapambetje është rrjedhim i politikës diskriminuese që është ndjekur ndaj këtyre trevave.
Pasuritë minerale të Kosovës janë veçanërisht të rëndësishme. Rezervat e qymyrit linjit, arrinin në rreth 12 miliardë tonë dhe përbënin 68,8 % të të gjitha rezervave të këtij lloji në Jugosllavi. Në Kosovë gjendeshin 30 % të rezervave energjetike të Jugosllavisë, 22,3 % të rezervave të nikelit, 52 % të rezervave të plumbit dhe të zinkut, 51,8 % të rezervave të magnezit.
Gjithashtu në sasi të konsiderueshme janë kromi, argjendi, boksidet, mangani, hekuri, antimoni, zhiva, bakri e kallaji. Nuk mungojnë as mineralet e rralla si kobalti, indiumi, kadmiumi, germaniumi etj., pa folur më tej për metaloidet, ndër të cilat numërohen mbi 20 lloje me vlera të mëdha industriale (I. Gusia, Burimet natyrore si faktor i zhvillimit ekonomik të KSA të Kosovës, Prishtinë, 1982, f. 73-74; Shih edhe “Rilindja”, Prishtinë, 14 shkurt 1988, f. 6).
Megjithëse disponon pasuri kaq të mëdha minerale dhe energjetike, që përbëjnë 10 % të gjithë pasurive natyrore të Jugosllavisë, (ndonëse zë vetëm 4,2 % të sipërfaqes së saj) dhe si pasojë kushte shumë të favorshme për zhvillimin mbi këtë bazë të industrisë dhe të bujqësisë, Kosova ishte gjithnjë rajoni më i prapambetur i Jugosllavisë (Vjetari Statistikor i KSA të Kosovës 1985, Prishtinë, 1985, f. 82).
Sikurse shihet Kosova përdorej kryesisht si një burim për furnizimin e viseve të tjera të Jugosllavisë me lëndë të para të përpunuara ose pjesërisht të përpunuara, me energji elektrike bile edhe me fuqi punëtore të lirë. Në të njëjtën kohë ajo ishte kthyer në një treg të leverdishëm për shitjen e mallrave të gatshme industriale të republikave më të zhvilluara.
Prapambetja dhe struktura ekonomike e pavolitshme e Kosovës kushtëzohet jo vetëm nga gjendja e trashëguar, sikurse pohonin në Beograd, por kryesorja ishte politika e interesave të ngushta të kapitalit të madh që ndodhej kryesisht në republikat e zhvilluara jugosllave, të cilat bënin investime në sektorët që nuk i leverdisnin ekonomisë kosovare.