TË DHËNA INTERESANTE E TË PANJOHURA PËR QËNDRIMIN E SHQIPËRISË PËR KOSOVËN E VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI
Enver Hoxha: Kosova është Shqipëri, Tiranë, Neraida, 1999
Në vend të prologut
Padrejtësitë ndaj Shqipërisë dhe trojeve shqiptare që nga viti 1912 nga fuqitë e mëdha dihen. Po këto padrejtësi ndaj shqiptarëve vazhduan dhe në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore, ku trojet shqiptare ishin nën të ashtuquajturën mbretëri SKS. Dihen edhe tradhëtitë e palës jugosllave, në mbledhjen e AVNOJ-it, ku nuk u bisedua fare për shqiptarët, e që vendimet saj ishin në kundërshtim me parimet e mbledhjes së Bujanit.
Vendimet e Bujanit, u tradhëtuan në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, me të ashtuquajturin Kuvendi i Prizrenit, ku në mënyrë të dhunshme e të njëanshme Kosova vazhdoi të mbetët sërish nën zgjedhën serbo-jugosllave. Shqipëria si aleat i luftës antifashiste, në përfundim të luftës nuk kishte mundësi që me luftë ta rikthente Kosovën dhe viset tjera shqiptare që mbetën nën ish Jugosllavi. Por a u pajtua Shqipëria me këtë gjendje?
Cilat ishin veprimet e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore në drejtim të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të mbetura në nën ish Jugosllavi?
Nga shkrimet dhe librat e shumtë, artikuj, analiza, polemika, vështrime etj, të Enver Hoxhës, gjenden edhe një varg shkrimesh të tilla që flasin për Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën ish Jugosllavi. Të gjitha këto flasin se Shqipëria kurrë nuk u pajtua me gjendjen që iu imponua nga faktorët ndërkombëtar.
Kështu djali i Enver Hoxhës, Iliri, më 1999, ka bërë grumbullimin e disa shënimeve të Enver Hoxhës që flasin për Kosovën. Këto shkrime përfshijnë periudhën deri te shkrimi me titull: Panoramë, i datës 30 dhjetor 1984.
Brenda këtij libri prej 287 faqeve, janë prezantuar 125 shkrime, shënime, analiza, polemika, … Nga përmbajtja e këtyre shkrimeve, shihet se interesimi për Kosovën nga ana e Shqipërisë nuk ka munguar, në të gjitha format dhe mundësitë që ka pasur mundësi të veprojë.
Sigurisht përderisa Shqipëria ka qenë e njohur ndërkombëtarisht si shtet, ka pasur edhe obligime ndërkombëtare. Kështu ajo duke qëndruar neutrale apo më mirë të thuhet kundër te dy blloqeve, është dashur të bëjë përpjekje të mëdha për ta plasuar të vërtetën për shqiparët në ish Jugosllavi para opinionit ndërkombëtar. Kur kihet parasysh se për të gjitha problemet e brendshme në ish Jugosllavi, çdo gjë që lidhej me shqiptarët, shteti Jugosllav përmes mekanizmave të vet është munduar ta plasoj të vërteten e vet si për shqiptarët dhe pozitën e tyre në ish Jugosllavi, e në anën tjetër, për të shpërqendruar vemendjen nga e vërteta, duke e akuzuar Shqipërinë për përzierje në punët e brendshme, dhe për përpjekje për rrënimin e sistemit në Jugosllavi.
Në këto shkrime shihet se si dhe me çfarë zgjuarsie diplomatike, shteti shqiptar ka prezantuar para opinionit ndërkombëtar të vërteten për shqiptarët dhe pozitën e tyre në ish Jugosllavi, pa u konfrontuar me mekanizmat ndërkombëtar rreth detyrimeve ndërkombëtare që kishte Shqipëria. Ndihmesa ishte e shumëllojshme, përmes propagandës, përmes plasimit të së vërtetës se çfarë po ndodh në ish Jugosllavi, çfarë po ndodh në Kosovë e vise tjera shqiptare në ish Jugosllavi, përmes librave letrar, kulturor, e shkencor; përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike e shkencore. Po, në disa shkrime, Enver Hoxha e pranon se edhe kanë bërë gabime, dhe gabimin më të madh që e konsideron, është fakti që i është besuar në mënyrë të sinqertë palës jugosllave gjatë luftës, ku pala jugosllave ishte pajtuar në parim që pas luftës, çështja e Kosovës do të vendoset sipas parimit të të drejtës së popujve për vetvendosje. Në fakt kjo nuk ndodhi dhe në vend të vetvendosjes, u përdor akti i bashkangjitjes së Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë.
