Ka arritje profesionale që maten me një titull të fituar dhe ka të tjera që marrin kuptim edhe përtej tij. Tituj që nuk i jep Universiteti por sakrifica për atdhe.
Përfundimi i specializimit në Gjinekologji dhe Obstetrikë nga Dr. Feri Arif Dautaj i përket pikërisht kësaj kategorie, pra, një arritje e ndërtuar mbi vite studimi, përgatitjeje profesionale dhe pune të vazhdueshme, por, që lidhet natyrshëm edhe me një histori familjare të mbështetur në arsim, sakrificë për liri dhe qëndresë.
Në këtë rrugëtim, suksesi i saj profesional nuk paraqitet thjesht si një etapë e përfunduar akademike. Ai është rezultat i një procesi në të cilin formimi universitar, specializimi mjekësor dhe kërkesa për përgatitje të vazhdueshme profesionale bashkohen në një profesion me përgjegjësi të jashtëzakonshme njerëzore.
Gjinekologjia dhe Obstetrika është një nga fushat e mjekësisë ku njohuritë shkencore dhe përgjegjësia klinike kërkojnë një ekuilibër të veçantë.

Përballë mjekut nuk qëndron vetëm një diagnozë apo një procedurë mjekësore, por shëndeti i gruas, kujdesi gjatë shtatzënisë dhe lindjes, si dhe përgjegjësia për dy jetë në momente veçanërisht të ndjeshme.
Pikërisht për këtë arsye, përfundimi i një specializimi të tillë përfaqëson një etapë të rëndësishme në formimin e një profesionisti të mjekësisë. Ai kërkon disiplinë akademike, përvojë praktike, përditësim të vazhdueshëm me zhvillimet e shkencës mjekësore dhe, mbi të gjitha, përgjegjësi profesionale.
Rasti i Dr. Dautaj, merr një kuptim të veçantë edhe për shkak të vlerave familjare – si fëmij dëshmori. Pas një brezi që ka njohur sakrificën për liri dhe ndërtimin e shtetit, brezi i saj po e ndërton të ardhmën përmes dijes, profesionit dhe specializimit shkencor.

