Ai asht prej atyne burrave që e kanë shkru historinë e lirisë me vepra, e jo me fjalë. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në rrugën e çlirimit të Kosovës ka mbetë gjithmonë i thanë me armë, me vendosmëri e me sakrificë, jo me deklarata. Ai nuk flet për veten, sepse e din që liria e sotme asht fjala ma e madhe që flet për të. Edhe na, shokët e idealit, e dimë që heshtja e tij mban mrena nji epokë të tanë heroizmi.
Nazmi Brahimaj asht pikërisht ky burrë, njeriu që në vitin 1994, pra 31 vjet ma parë, i pruni armët e para të UÇK-së prej Zvicrës në Jabllanicë të Gjakovës, për njësitet e para të UÇK-së. Gjatë luftës ka shërby si zëvendëskomandant i Zonës së Dukagjinit, ma vonë si komandant i Zonës së Tretë Mbrojtëse në TMK, dhe vazhdoi rrugën në FSK, duke shërbyer me përkushtim si gjeneral brigade në ushtrinë tonë të re.
Nazmiu ka kalue nëpër sakrifica që pak kush kish mujt me i përballu. Gjatë luftës e humbi nipin e parë, Luanin; pastaj nanën Azen, gjyshen Zizen, e ma vonë edhe nipin tjetër, Shkëlzenin, e përpos tyne, edhe shumë shokë me të cilët e nisi luftën. As pas luftës sfidat nuk iu ndalën, i përballi burgosjet e nipave Ramushit e Dautit, bashkë me vëllaun Lahiun, e mandej edhe humbjen e nipit tjetër, Enverit. Por gjenerali i heshtur kurrë s’u dorëzua. Qëndroi si shkëmb, i palëkundun, i vendosun dhe i lidhun përjetësisht me kauzën e lirisë.
