Mali Etna, një nga vullkanet më aktivë në botë, po përjeton një fazë të fuqishme aktiviteti në Siçili, duke shkaktuar probleme të mëdha për transportin ajror dhe mijëra udhëtarë në kulmin e sezonit turistik. Hiri vullkanik ka prekur hapësirën ajrore të rajonit dhe është zhvendosur edhe drejt Maltës, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të fluturimeve.
Aeroporti i Katanias ka mbetur i mbyllur për të tetën ditë për shkak të rrezikut që paraqet hiri vullkanik për avionët. Autoritetet kanë vendosur kufizime në trafikun ajror për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe ekuipazheve, ndërsa aktiviteti i Etnës vijon të monitorohet nga afër.
Por çfarë po ndodh në brendësi të vullkanit dhe pse aktiviteti është bërë kaq intensiv?
Sipas Marco Vicaro, profesor në Universitetin e Katanias dhe president i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali, aktiviteti aktual lidhet me ndryshime të rëndësishme në dinamikën e brendshme të Etnës. Ai argumenton se procesi ka nisur rreth dy vite më parë, kur krateri Voragine përjetoi gjashtë episode shpërthyese të njëpasnjëshme.
“Rindezja e kraterit Voragine po shkakton ndryshime të rëndësishme në konfigurimin strukturor të vullkanit dhe kjo mund të ndikojë në sjelljen e tij të mëvonshme shpërthyese për disa vite”, është shprehur Vicaro për Corriere della Sera.
Sipas ekspertit, aktiviteti i ditëve të fundit nuk duhet parë si një ngjarje e izoluar, por si pjesë e një procesi më të gjerë që po zhvillohet në sistemin e brendshëm të vullkanit.
Pas riaktivizimit të kraterit verilindor, Nord-Est, në fund të vitit 2025 dhe aktivitetit të tij në fillim të vitit 2026, kanali kryesor i Etnës duket se ka marrë një rol edhe më të rëndësishëm në transportimin e magmës drejt sipërfaqes.
