Shkruan: Bedri Halimi
ROMANI “REVOLTA E SYZIFIT” SI DËSHMI DHE SI AKT REZISTENCE
Recension për romanin “Revolta e Syzifit” të Bardhyl Mahmutit
Hyrje
Romani dokumentar “Revolta e Syzifit” i Bardhyl Mahmutit përfaqëson një ndër përpjekjet më serioze në letërsinë bashkëkohore shqiptare për të ndërthurur dëshminë historike me formën artistike, duke e vendosur tekstin në kufirin midis historiografisë dhe letërsisë narrative.
Autori e paraqet këtë roman si një akt kujtese dhe përgjegjësie ndaj viktimave të gjenocidit në Kosovë, duke e marrë shembull konkretisht gjenocidin në Poklek të Vjetër, duke e shndërruar romanin në një monument narrativ të dhimbjes kolektive.
Në këtë kuptim, romani nuk është thjesht një rrëfim, por një projekt etik, që synon të luftojë harresën, relativizimin dhe manipulimin me të vërtetën historike.
Zhanri dhe struktura
Për nga struktura, autori e përcakton veprën si roman dokumentar, ku teksti ndërtohet përmes rrëfimit në vetën e parë (narrator-dëshmitar); përfshirjes së fakteve historike, fotografive dhe referencave dokumentare; dialogjeve të natyrshme dhe reflektime ideore; ndërthurjes së kohës personale me kohën historike.
Paraqitja e kësaj strukture të dyfishtë brenda romanit krijon një tension produktiv midis subjektivitetit të përjetimit dhe objektivitetit të dokumentimit.
Në këtë mënyrë, vepra e Bardhyl Mahmutit i takon letërsisë së traumës, ku rrëfimi individual shërben si portë hyrëse në tragjedinë kolektive, të përjetuar në luftën e fundit.
Në këtë roman autori krijon një tekst ku dokumentimi nuk është shtesë e rrëfimit, por strukturë themelore e tij. Përfshirja e fotografive, datave, referencave dhe diskurseve publike e shndërron tekstin në një formë të asaj që mund të quhet: “arkiv narrativ i traumës kolektive”. Në dallim nga monografitë dhe veprat shkencore ku fotografitë përdoren si “argumente që flasin vetë”, në romanin dokumentar të Bardhyl Mahmutit kemi një interpretim artistik të çdo fotografie që përdoret si dëshmi për të ilustruar tekstin shoqërues. Me një fjalë, autori i bën faktet e fotografuara t’u flasin lexuesve me një gjuhë artistike. Kjo qasje është tepër interesante, sidomos për ata lexues që nuk i kanë përjetuar tmerret e luftës së viteve 1998–1999.
Për të shmangur pasaktësitë që shpesh dëgjohen se gjoja masakra në Poklek të Vjetër ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje, që në mënyrë implicite nënkupton se gjoja banorët e këtij fshati i kanë hyrë në hak Serbisë, autori e vendos rrëfimin në kontekst të një konference ndërkombëtare kushtuar ndërhyrjes ushtarake të NATO–s për të nxjerrë në pah zinxhirin e akteve gjenocidale që i paraprijnë kësaj ndërhyrjeje. Vetëm në kontekst të asaj që i paraprin ndërhyrjes së NATO–S dhe krimeve të kryera anekënd Kosovës, lexuesi i painformuar e kupton se krimi i gjenocidit në Poklek të Vjetër bën pjesë në projektin gjenocidal që kishte përpiluar dhe zbatuar Serbia si shtet.
Simbolika e figurës së Syzifit dhe dimensioni filozofik
Titulli “Revolta e Syzifit” përbën një nga çelësat themelorë për leximin e romanit. Syzifi nuk është vetëm emërtim simbolik i personazhit Fadil Muqolli, por figurë përmes së cilës autori ndërton idenë e një përpjekjeje këmbëngulëse kundër harresës dhe për njohjen e së vërtetës për gjenocidin në Kosovë. Në këtë mënyrë, simbolika mitologjike zhvendoset nga përsëritja e një pune të kotë drejt këmbënguljes së ndërgjegjshme për një qëllim që merr kuptim historik, njerëzor dhe moral.
Kjo ide artikulohet qartë në roman përmes krahasimit me përvojën e popullit armen. Përpjekja shumëvjeçare e të mbijetuarve dhe pasardhësve të tyre për ta bërë të njohur në botë atë që kishte ndodhur përshkruhet si një angazhim i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm dhe i përvitshëm, që dikujt mund t’i duket si “punë Sizifi”, por pa të cilin e vërteta do të mund të mbetej në heshtje. Pikërisht këtu qëndron edhe përmbysja kuptimore që realizon romani: ajo që nga jashtë mund të duket si përpjekje pa fund, nga këndvështrimi i përgjegjësisë ndaj viktimave shndërrohet në domosdoshmëri.
Prandaj përsonazhi Fadil Muqolli nuk paraqitet vetëm si bartës i një traume personale. Përmes tij individualja kalon në kolektive: dhimbja e familjes bëhet kujtesë për viktimat, ndërsa kujtesa shndërrohet në veprim. Syzifi nuk pranon që koha ta mbyllë krimin në të kaluarën. Ai e bart atë në hapësirën publike, në konferenca, debate dhe përballje me narrativa që synojnë relativizimin apo mohimin e asaj që ka ndodhur.
Në këtë pikë merr kuptim edhe fjala “revoltë” në titull. Revolta e Syzifit nuk është vetëm revoltë emocionale e njeriut të lënduar. Ajo është kundërshtim i heshtjes, i harresës dhe i përpjekjeve për deformimin e së vërtetës. “Guri” që ai ngjit vazhdimisht nuk është dënimi i tij, por barra e kujtesës që ka zgjedhur ta bartë. Për këtë arsye, figura e Syzifit bëhet metaforë e këmbënguljes për ta mbajtur të hapur çështjen e së vërtetës derisa ajo të zërë vendin që i takon në kujtesën historike.
Kështu, romani e largon figurën e Syzifit nga kuptimi i thjeshtë i mundit të pafrytshëm. Përpjekja mund të jetë e gjatë, e rëndë dhe shpesh e vetmuar, por nuk është e pakuptimtë. Vetë vazhdimi i saj bëhet formë rezistence.
Përfaqësimi i gjenocidit
Gjenocidi ndaj shqiptarëve në Kosovë përbën boshtin tematik rreth të cilit ndërtohet romani. Megjithatë, Bardhyl Mahmuti nuk e trajton atë vetëm përmes përshkrimit të krimeve dhe pasojave të tyre. Rrëfimi ndërtohet duke i vendosur ngjarjet konkrete në një varg më të gjerë faktesh, dëshmish, fotografish, referencash dhe debatesh, përmes të cilave autori kundërshton paraqitjen e krimeve si episode të shkëputura nga njëra-tjetra.
Kjo mënyrë ndërtimi është e rëndësishme edhe për kuptimin e Poklekut të Vjetër. Shtëpia-kremator është qendra emocionale dhe dokumentare e romanit, por autori nuk e izolon atë nga ngjarjet e tjera. Përkundrazi, përmes Abrijës së Epërme, Reçakut dhe rasteve të tjera, krijohet një vijimësi narrative që e vendos tragjedinë e Poklekut në kontekstin e krimeve të kryera në Kosovë. Përshkrimi i vrasjes së civilëve në Abri të Epërme, përfshirë fëmijët dhe foshnjat, është një nga rastet ku dokumenti dhe rrëfimi bashkohen për t’i dhënë tragjedisë jo vetëm dimension statistikor, por fytyrë njerëzore.
Një rëndësi të veçantë merr raporti ndërmjet krimit dhe mënyrës së emërtimit të tij. Romani i kushton vëmendje terminologjisë sepse fjalët, në këtë kontekst, nuk trajtohen si mjete neutrale. Debati për përdorimin e termit “eksod”, për shembull, lidhet me kundërshtimin e një terminologjie që mund ta shkëpusë dëbimin e shqiptarëve nga dhuna, vrasjet, dhuna seksuale dhe shkatërrimi i elementeve të identitetit të tyre.
Po me këtë kujdes ndërtohet edhe përballja me nocionin “spastrim etnik” dhe me interpretimet që përpiqen ta ndajnë atë në mënyrë të tillë nga çështja e gjenocidit, sa të minimizohet natyra e krimeve të kryera. Autori e sjell këtë debat brenda romanit përmes polemikës me pikëpamje juridike dhe politike konkrete, duke e bërë terminologjinë pjesë të konfliktit narrativ dhe argumentues të veprës.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme është kundërshtimi i tezës se tragjedia e shqiptarëve të Kosovës ishte pasojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Për ta rrëzuar këtë inversion shkak-pasojë, autori e çon lexuesin te ngjarjet dhe dëshmitë që i paraprijnë ndërhyrjes. Fotografitë e realizuara para 24 marsit 1999 marrin këtu funksion të drejtpërdrejtë dokumentues: ato vendosen në rrëfim për të dëshmuar shkatërrimet, dëbimet dhe gjendjen e popullsisë shqiptare përpara fillimit të bombardimeve.
Në këtë mënyrë, fotografia nuk është ilustrim dekorativ. Ajo hyn në marrëdhënie me tekstin, ndërsa teksti i jep asaj kontekstin historik. Dokumenti, dëshmia dhe rrëfimi artistik bashkëveprojnë për të kundërshtuar mohimin, relativizimin dhe zhvendosjen e përgjegjësisë.
Por romani nuk mbetet vetëm te fakti i krimit. Ai merret edhe me pasojën njerëzore të tij: traumën e të mbijetuarve, dhimbjen e familjeve, kujtesën që rikthehet dhe pamundësinë për ta konsideruar të kaluarën të mbyllur për sa kohë e vërteta mbetet e kontestuar. Në këtë kuptim, kujtesa nuk paraqitet si kthim pas për hir të së kaluarës, por si përgjegjësi ndaj viktimave dhe si kusht që krimi të mos mbulohet nga heshtja.
Diskursi historik dhe politik
Dimensioni historik dhe politik i “Revoltës së Syzifit” nuk qëndron jashtë strukturës letrare të veprës, por është një nga mekanizmat përmes të cilëve zhvillohet vetë konflikti. Konferencat ndërkombëtare, debatet, kundërshtimet dhe përplasjet ndërmjet interpretimeve të ndryshme krijojnë hapësirën ku dokumenti historik hyn në konflikt me propagandën dhe ku personazhet detyrohen të mbrojnë jo vetëm kujtesën e tyre, por edhe kuptimin e fakteve.
Veçanërisht domethënëse është konferenca ndërkombëtare, sepse ajo shndërrohet në një lloj skene intelektuale të romanit. Aty përballen dy mënyra të interpretimit të së kaluarës: njëra që kërkon ta dokumentojë dhe ta emërtojë krimin, dhe tjetra që përpiqet ta relativizojë, ta zhvendosë përgjegjësinë ose ta fusë në kategori që e zbehin kuptimin e tij.
Në këtë përballje autori nuk mbështetet vetëm në deklarime. Ai fut në funksion të rrëfimit kronologjinë, fotografitë, dokumentet dhe faktet. Veçanërisht domethënëse është fotografia e dëbimit të shqiptarëve e datës 9 mars 1999, të cilën rrëfimi e vendos dy javë përpara ndërhyrjes së NATO-s, pikërisht për të kundërshtuar pretendimin se shqiptarët iknin për shkak të bombardimeve të Aleancës.
Edhe polemika rreth Reçakut zhvillohet në të njëjtën logjikë. Romani paraqet mënyrën se si narrativat mohuese ndërtohen përmes përzgjedhjes dhe interpretimit të burimeve dhe më pas e vendos narratorin përballë tyre. Kështu debati politik nuk mbetet koment i jashtëm i autorit, por shndërrohet në situatë narrative, në konflikt idesh dhe në përballje personazhesh.
Në këtë plan duhet parë edhe krahasimi me përvojat e popujve të tjerë. Gjenocidi armen, Holokausti dhe tragjedi të tjera historike nuk futen në roman vetëm për analogji emocionale. Përvoja armene, në veçanti, përdoret si model i këmbënguljes shumëbrezëshe për njohjen dhe ruajtjen e kujtesës. Pikërisht prej saj Syzifi nxjerr mësimin se ndërkombëtarizimi i së vërtetës kërkon punë të gjatë, organizim dhe vazhdimësi.
Në këtë mënyrë, dimensioni politik i romanit lidhet drejtpërdrejt me dimensionin etik të tij. Çështja nuk shtrohet vetëm se çfarë ka ndodhur, por edhe se çfarë ndodh me një krim kur ai heshtet, relativizohet ose lihet pa u përballur me të vërtetën. Romani e artikulon qartë idenë se fshehja e krimeve nuk ndërton paqe të qëndrueshme dhe nuk i mbyll plagët e të mbijetuarve.
Prandaj diskursi historik dhe politik në “Revoltën e Syzifit” nuk është një shtresë e tepërt mbi romanin. Ai është pjesë e arkitekturës së tij: është hapësira ku kujtesa individuale kërkon të shndërrohet në kujtesë publike, ku dokumenti përballet me propagandën dhe ku revolta e Syzifit merr dimensionin e saj më të gjerë, këmbënguljen që e vërteta të mos mbyllet në heshtje.
Stili dhe gjuha
Gjuha që përdoret në roman karakterizohet nga qartësia argumentuese, intensiteti emocional dhe përdorimi i figurave të forta.
Shumë përshkrime të ngjarjeve të shtjelluara brenda romanit bartin një simbolikë të fuqishme.
Shtëpia-kremator për shembull, është një metaforë e shkatërrimit të një vatre shqiptare, duke e shndërruar në kasaphanë dhe furrë, ku digjej mishi i njerëzve të copëtuar, shndërrohet në simbol që të kujton periudhën e krematorëve nazist, dhe kjo metaforë, e ndërlidhur me trenat që bartin njerëz drejt shkatërrimit i jep kuptimin e plotë analogjisë me gjenocidin që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Toni i tekstit brenda romanit lëviz midis dhimbjes, revoltës, analizës racionale, që gjithsesi e bën tekstin njëkohësisht emocional dhe intelektual.
Dimensioni etik
Romani i Bardhyl Mahmutit, ngre pyetje themelore, si:
A mund të harrohet gjenocidi?
A mund të relativizohet e vërteta?
Cili është roli i intelektualit në përballje me krimin?
Dhe në të gjitha këto pyetje, përgjigjja e autorit është e qartë: ku e vërteta duhet të mbrohet, kujtesa duhet të ruhet, nga se heshtja është bashkëfajësi.
Vendosja në kontekstin letrar shqiptar
Romani “Revolta e Syzifit” zë një vend të rëndësishëm në letërsinë e luftës në Kosovë, konkretisht në letërsinë dokumentare shqiptare.
Në krahasim me shumë vepra të tjera që e trajtojnë temën e luftës, ky roman është më i strukturuar në aspektin argumentues, më i drejtpërdrejtë në diskursin politik, me theks të fortë në strukturën argumentuese dhe më i ndërthurur me dokumentin historik.
Ky roman përfaqëson një kalim nga letërsia e përjetimit në letërsinë e dëshmisë dhe akuzës.
Gjithsesi ndër vlerat kryesore që duhet theksuar në romanin “Revola e Syzifit” janë: ndërthurja e suksesshme e dokumentit dhe artit, ndërtimi i fuqishëm simbolik (Syzifi), analiza e thellë e propagandës dhe diskursit historik, si dhe rëndësia e madhe etike dhe kombëtare.
Në vend të përfundimit
Romani “Revolta e Syzifit” është një vepër e rëndësishme që tejkalon kufijtë e letërsisë së zakonshme dhe propozon një model të ri të shkrimit. Ai është një roman, një dokument, një aktakuzë, një thirrje për kujtesë; si arkiv, si dëshmi, si akt rezistence...
Figura e Syzifit, bëhet metaforë e qëndrueshmërisë historike, e qëndresës së pandalshme për të vërtetën.
Në një kohë kur narrativat historike vazhdojnë të sfidohen dhe deformohen, kjo vepër mbetet një dëshmi e fuqishme se e vërteta mund të vonohet, por nuk mund të zhduket.
Pra, në një kontekst ku e vërteta historike mbetet e kontestuar, kjo vepër tregon se kujtesa nuk është vetëm rikujtim i së kaluarës, por projekt për të ardhmen.
Këndvështrime
ROMANI “REVOLTA E SYZIFIT” SI DËSHMI DHE SI AKT REZISTENCE

