Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Këndvështrime

SHEHOLLI DHE SHEHOLLËT QË NUK I DIMË

GD
Gazeta Demos29 gusht 2026 në 19:22
SHEHOLLI DHE SHEHOLLËT QË NUK I DIMË

Ibish Neziri

Dosja Sheholli nuk është vetëm dosja e një njeriu të akuzuar për spiunazh. Nëse do ta lexonim vetëm kështu, do të rrezikonim të mos shihnim atë që mund të jetë shumë më e madhe se Fatmir Sheholli.

Sheholli është emri që tashmë e dimë.

Problemi i vërtetë janë shehollët që nuk i dimë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e akuzon Fatmir Shehollin për veprat penale „Spiunazh“ dhe „Shantazh“. Sipas aktakuzës, deri në arrestimin e tij më 9 tetor 2025, ai kishte vepruar si person i rekrutuar nga shërbimi informativ serb, BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente që kishin të bënin me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Aktakuza përmban dhjetëra prova materiale dhe personale, ndër to përgjime telefonike dhe ambientale, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-regjistrime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.[1]

Fatmir Sheholli nuk është dënuar për këto akuza. Ai ka mohuar se ka punuar për BIA-n ose se ka vepruar kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të spiunazhit. Përgjegjësinë e tij penale do ta përcaktojë gjykata.

Por për sigurinë e Republikës së Kosovës ekzistojnë fakte dhe pyetje që nuk kanë nevojë të presin përfundimin e procesit gjyqësor.

Vetë Sheholli ka deklaruar se nga viti 1990 deri më 5 maj 1993 ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë, si analist në sektorin e analitikës. Këtë nuk e thotë një kundërshtar i tij. E ka deklaruar vetë Sheholli para Policisë dhe Prokurorisë.[2]

Këtu duhet të fillojë alarmi.

Në botën e shërbimeve sekrete qarkullon prej kohësh thënia: „Njëherë në një shërbim, gjithë jetën në atë shërbim.“

Kjo nuk është formulë juridike dhe as provë se kushdo që ka punuar dikur për një shërbim vazhdon të punojë për të. Por për një shtet serioz është një paralajmërim që nuk mund të shpërfillet. Aq më pak mund ta shpërfillte Kosova, një shtet i ri që po ndërtonte institucionet e veta pas një sistemi që për dekada kishte përgjuar, përndjekur, burgosur dhe luftuar shqiptarët.

Kosova nuk kishte pse të mendonte se do të ishte përjashtim.

Nga Sigurimi serb te AKI-ja

Pikërisht këtu Dosja Sheholli bëhet shumë më shqetësuese.

Sipas raportit të dalë nga një inspektim i brendshëm i AKI-së për periudhën 2017–2020, Fatmir Sheholli ka pranuar gjithsej 639 mijë euro nga fondi special i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Raporti, në të cilin ishin ngritur dyshime për keqpërdorim të buxhetit të AKI-së, i ishte përcjellë Prokurorisë së Shtetit në vitin 2024.[3]

Vetë Sheholli e ka pranuar publikisht se gjatë asaj periudhe ka bashkëpunuar me AKI-në. Kur është pyetur nëse kishte pranuar rreth 640 mijë euro nga drejtues të Agjencisë, ai nuk është përgjigjur drejtpërdrejt për shumën, por ka thënë se kishte kryer shërbime dhe angazhime për AKI-në që nuk ishin për opinionin publik. Kryeinspektori i AKI-së ka konfirmuar se Sheholli ishte njëri nga personat që kishte përfituar nga mjetet e konstatuara gjatë inspektimit.[4]

Dhe tani kemi një situatë që duhet ta shkundë shtetin:

Një njeri që ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë, që më pas ka bashkëpunuar me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe, sipas raportit të Inspektoratit të AKI-së, ka marrë prej saj qindra mijëra euro, sot akuzohet nga Prokuroria Speciale se ishte rekrutuar nga BIA serbe.

Nëse këto akuza vërtetohen në gjykatë, kjo nuk do të jetë vetëm çështja penale e Fatmir Shehollit.

Do të jetë një nga çështjet më serioze të kundërzbulimit kosovar:

Kush e kontrollonte kë?

Duhet të përcaktohet nëse Sheholli ishte burim i Kosovës, burim i Serbisë apo nëse, në periudha të ndryshme, kishte marrëdhënie me të dyja palët. Duhet të dihet kur filloi njëra marrëdhënie dhe kur përfundoi tjetra, nëse ato u ndërprenë ndonjëherë dhe, mbi të gjitha, nëse AKI-ja dinte për kontaktet e tij me BIA-n dhe deri në çfarë mase.

Nëse nuk dinte, atëherë lind një pyetje po aq serioze: si ishte e mundur?

Dhe nëse një njeri mund të lëvizte ndërmjet këtyre dy botëve, sa të tjerë mund të kenë bërë, ose mund të jenë duke bërë të njëjtën gjë?

Dokumentet nuk ecin vetë

Dosja e publikuar e bën këtë pyetje edhe më të rëndë.

Sipas aktakuzës, Sheholli nuk i ka mohuar kontaktet, që nga rreth viteve 2013–2014, me një zyrtar serb të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s. Për materialet që lidhen me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Sheholli ka deklaruar se i kishte marrë përmes një personi të panjohur në Mitrovicën e Veriut dhe se kishte marrë edhe 5.000 euro. Ai ka pranuar gjithashtu se gjatë publikimit të materialeve kishte komunikuar me zyrtarin serb.[5]

Në telefonin e tij, sipas aktakuzës, është gjetur edhe një dokument operativ i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i vitit 2001, i emërtuar „Leptir“. Për prejardhjen e këtij dokumenti, Sheholli ka deklaruar se ia kishte dërguar në telefon kontakti i tij serb, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s.[6]

Këtu duhet kujtuar një e vërtetë elementare e punës së shërbimeve:

Dokumentet nuk ecin vetë.

Ato nuk i kalojnë kufijtë vetë, nuk dalin nga kasafortat vetë dhe nuk kalojnë vetë nga një shërbim te tjetri.

I bartin njerëzit.

Një ish-shef i Shërbimit ka deklaruar publikisht se ky shërbim kishte arritur të siguronte dokumente nga Beogradi „me thasë“.

Në një pohim të tillë, pyetja nuk duhet të jetë vetëm se çfarë kishte brenda thasëve, por edhe kush i solli ata, në çfarë marrëdhënie ishte ai njeri me njërin shërbim dhe në çfarë marrëdhënie me tjetrin, kush e kishte rekrutuar, kush e paguante dhe kush mendonte se e kontrollonte. Dhe, në fund, mbetet pyetja më e rëndësishme:

Për kë punonte vërtet?

Këtu gjendet terreni klasik në të cilin lind pyetja e agjentit të dyfishtë. Nuk kemi të drejtë të shpallim askënd agjent të dyfishtë pa prova. Por kemi të drejtë, madje edhe detyrim, ta shtrojmë këtë pyetje kur një njeri që ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë më pas ka bashkëpunuar me AKI-në, ndërsa vite më vonë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ishte rekrutuar nga BIA.

Sheholli që shihnim çdo mbrëmje

Ka edhe një dimension tjetër të kësaj historie që nuk duhet kaluar në heshtje.

Sheholli nuk jetonte në ilegalitet.

Nuk ishte një figurë e fshehur në ndonjë bodrum duke fotografuar dokumente. Ai ishte në hapësirën publike.

Pothuajse çdo mbrëmje mund ta shihnim në studio televizive. Paraqitej në televizionet e Prishtinës dhe të Tiranës, por edhe në mediat televizive serbe. Komentonte politikën dhe çështjet e sigurisë. Fliste për marrëdhëniet ndëretnike. Drejtonte Institutin për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë dhe ishte pjesë e vazhdueshme e debatit publik.

Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të na shqetësojë.

Sepse shërbimet moderne nuk jetojnë vetëm nga dokumentet sekrete. Ato jetojnë edhe nga njerëzit që kanë qasje. Nga njerëzit që krijojnë besim. Nga njerëzit që dinë kush flet me kë, kush mendon çfarë, ku ekziston konflikt, ku mund të krijohet konflikt dhe ku mund të vendoset një informacion që nesër do të bëhet lajm.

Në këtë pikë, një pjesë e dosjes Sheholli merr rëndësi të veçantë.

Në telefonin e tij, sipas aktakuzës, është gjetur një dokument me mbishkrimin „Top sekret 2“, përmbajtja e të cilit përshkruan një strategji që, ndër të tjera, synonte nxitjen e përçarjes ndërmjet shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe atyre në diasporë. Në dokument flitet edhe për ndikimin përmes njerëzve me prani në media, politikë, sport e muzikë, për ndërtimin e xhamive dhe krijimin e perceptimit të Kosovës si një shoqëri e radikalizuar fetarisht. Projektohet madje një Kosovë që, pas njëzet vjetësh, do të dukej „si Kandahari“.[7]

Kjo pjesë e dosjes meriton të lexohet përtej rastit Sheholli.

Prej vitesh në një pjesë të hapësirës publike kosovare është zhvilluar një diskurs jashtëzakonisht përçmues ndaj mërgatës. Mërgimtarët janë etiketuar, përqeshur dhe fyer me emërtime e epitete nga më të ndryshmet. Është krijuar shpesh një ndarje artificiale ndërmjet „vendorëve“ dhe „mërgimtarëve“, sikur të bëhej fjalë për dy grupe me interesa të kundërta dhe jo për pjesë të së njëjtës shoqëri.

Në raste të caktuara, kjo përplasje ka dalë edhe jashtë studiove televizive dhe rrjeteve sociale. Një konflikt i nxitur nga shkrimet dhe deklarimet për diasporën ka përfunduar madje me sulm fizik ndaj një opinionisti në Prishtinë, rast që më pas ka marrë edhe epilog gjyqësor. Dhuna nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë. Por rasti tregon se përçarja ndërmjet mërgatës dhe „vendorëve“ nuk ka mbetur gjithmonë vetëm retorikë.

Pikërisht këtu dokumenti i gjetur, sipas aktakuzës, në telefonin e Shehollit bëhet veçanërisht shqetësues. Sepse një prej objektivave që përshkruhen në të është pikërisht nxitja e përçarjes ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në diasporë.

Edhe temat e tjera të dokumentit tingëllojnë të njohura nga debatet publike të viteve të fundit: xhamitë, radikalizmi fetar, konvertimet, identiteti kulturor dhe imazhi i Kosovës në raport me Perëndimin. Në dokument shfaqet madje metafora ekstreme e Kosovës që një ditë do të dukej „si Kandahari“.

Këtu duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm.

Fakti që një gazetar, analist apo opinionist përsërit një narrativë që përputhet me interesat e një shërbimi të huaj nuk provon se ai është bashkëpunëtor i atij shërbimi. Por as e kundërta nuk mund të merret si e mirëqenë: se çdo përputhje është e rastësishme dhe se çdokush që e bart dhe e përforcon një narrativë vepron domosdoshmërisht pa e ditur prej nga buron ajo dhe kujt i shërben.

Sidomos kur nuk kemi të bëjmë me një deklaratë të rastësishme, por me narrativa që përsëriten për vite, ushqehen vazhdimisht dhe depërtojnë nga një studio televizive në tjetrën, nga portalet në rrjetet sociale dhe anasjelltas. Në një situatë të tillë është e ligjshme të shtrohet pyetja nëse kemi vetëm përputhje spontane që lindin brenda debatit publik apo nëse dikush, diku, i ushqen, i orienton dhe i përforcon ato.

Kjo nuk është akuzë ndaj gazetarëve, analistëve apo opinionistëve. Është dyshim ndaj një fenomeni që shteti ka detyrimin ta shqyrtojë, sidomos kur dokumente të përfshira në një dosje për spiunazh përshkruajnë si objektiva pikërisht krijimin dhe shfrytëzimin e përçarjeve brenda shoqërisë kosovare.

Prandaj pyetja nuk është vetëm kush i shqipton këto narrativa publikisht.

Pyetja është:

Kush i krijon, kush i ushqen, kush i përforcon dhe kujt i shërbejnë ato?

Ndikimi i një shërbimi të huaj nuk matet vetëm me numrin e dokumenteve sekrete që arrin të sigurojë. Ndonjëherë suksesi më i madh është kur arrin të mbjellësh një konflikt dhe pastaj nuk ke më nevojë ta ushqesh vetë, sepse shoqëria vazhdon ta ushqejë për ty. Pikërisht këtu bëhet e vështirë të përcaktohet se ku përfundon ndikimi i jashtëm dhe ku fillon riprodhimi i brendshëm i një narrative.

Prandaj duhet bërë një dallim themelor: jo pas çdo analisti, gazetari apo opinionisti duhet kërkuar një spiun; jo çdo njeri që mban kontakte me Serbinë është spiun dhe as çdo ish-pjesëtar i një strukture është domosdoshmërisht pjesëtar i saj gjithë jetën.

Por shteti nuk ka të drejtë të jetë naiv.

Shehollët që nuk i dimë

Këtu Fatmir Sheholli pushon së qeni vetëm Fatmir Sheholli.

Ai bëhet pyetje.

Nëse një person me të kaluar të deklaruar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë mundi të bëhej bashkëpunëtor i AKI-së, të merrte qindra mijëra euro nga fondet e saj dhe më pas të akuzohej nga Prokuroria Speciale se ishte rekrutuar nga BIA, atëherë rasti Sheholli nuk mund të shihet vetëm si histori e një individi. Ai prek drejtpërdrejt mënyrën se si shteti i Kosovës ka verifikuar njerëzit që i janë afruar institucioneve të tij më të ndjeshme, kujt i ka besuar, kë ka paguar dhe, mbi të gjitha, sa ka qenë në gjendje të dijë se për kë punonin në të vërtetë njerëzit që mendonte se punonin për të.

Nëse një rast i tillë ka qenë i mundur, atëherë pyetja nuk është më vetëm çfarë ka bërë Fatmir Sheholli. Pyetja është sa raste të tjera mund të kenë kaluar nëpër të njëjtat porta, pa u zbuluar, pa u hetuar ose pa u marrë seriozisht.

Dhe këtu Republika e Kosovës duhet t'ia bëjë vetes pyetjen që ndoshta deri më sot nuk ia ka bërë: Sa shehollë të tjerë ka?

Nuk është fjala për njerëz me mbiemrin Sheholli dhe as për familjarë të tij. Është fjala për shehollët si fenomen: për njerëz që një shërbim mendon se i ka rekrutuar, ndërsa ata mund të jenë duke furnizuar me informacione edhe tjetrin; për njerëz që marrin informacione nga njëra anë dhe i përcjellin në tjetrën, që marrin dokumente, para, detyra ose udhëzime; për njerëz që krijojnë narrativa, që kanë qasje në institucione e në media dhe që dinë të krijojnë besim në të dy anët.

Është fjala, në fund, për njerëz që mund të kenë kaluar nga shërbimi i vjetër në realitetin e ri pa e këputur kurrë plotësisht fillin e vjetër.

Këta janë shehollët që nuk i dimë.

Një shtet pa kujtesë kundërzbulimi

Pas vitit 1999 Kosova ndërtoi institucione të reja, por njerëzit që kishin punuar kundër saj nuk u zhdukën më 12 qershor. Me ndryshimin e flamurit nuk u zhdukën as rrjetet, as kontaktet, as dosjet, as metodat dhe as njerëzit e rekrutuar.

Prandaj shteti i Kosovës duhej ta kishte ndërtuar sigurinë e vet mbi një parim të thjeshtë: besimi është i nevojshëm, por verifikimi është i domosdoshëm.

Kjo nuk është thirrje për gjueti shtrigash, as për përgjegjësi familjare dhe as që bijtë të përgjigjen për etërit. Është pikërisht e kundërta: është kërkesë për përgjegjësi individuale, institucionale dhe të dokumentuar.

Dhe kjo përgjegjësi nuk i takon vetëm një qeverie.

Kosova është qeverisur nga parti, koalicione dhe udhëheqës të ndryshëm. Shërbimet e saj, policia, administrata dhe institucionet e tjera të ndjeshme janë ndërtuar përgjatë më shumë se dy dekadave. Secila qeveri që ka emëruar njerëz në pozita të ndjeshme pa verifikimin e nevojshëm, që ka toleruar dobësi në sistemin e kontrollit ose që ka dështuar në mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë, mban pjesën e vet të përgjegjësisë politike.

Siguria kombëtare nuk mund të ndahet sipas ngjyrave partiake.

Sepse BIA nuk pyet se cila parti është në pushtet.

Ajo kërkon dobësinë.

Dosja që duhet të hapë dosje të tjera

Dosja Sheholli nuk duhet të mbyllet me përfundimin e procesit penal ndaj Fatmir Shehollit, pavarësisht nëse ai përfundon me dënimin apo lirimin e tij.

Procesi penal duhet të bëjë punën e vet dhe prezumimi i pafajësisë duhet respektuar deri në vendimin përfundimtar.

Por shteti duhet të bëjë një punë tjetër.

Duhet të përcaktojë se si ishte e mundur që një ish-punonjës i Sigurimit Shtetëror serb të bëhej bashkëpunëtor i AKI-së dhe të bëjë një auditim të plotë të marrëdhënies së tij me Agjencinë. Duhet të dihet çfarë mori AKI-ja për 639 mijë eurot, kur kanë filluar kontaktet me personin që Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s dhe nëse këto periudha mbivendosen.

Po aq e rëndësishme është të përcaktohet se kujt i ka dhënë informacion Sheholli, nga kush ka marrë informacion dhe nëpër cilat kanale ka kaluar ai. Dhe, mbi të gjitha, duhet të kërkohet nëse modeli përsëritet.

Sepse problemi më i madh nuk është spiuni që kapet, por ai që nuk kapet. Fatmir Sheholli sot ka emër, mbiemër, aktakuzë dhe dosje; të tjerët, nëse ekzistojnë, nuk i kemi.

Prandaj Dosja Sheholli nuk duhet të na japë vetëm ndjesinë se me arrestimin e Shehollit dhe ngritjen e aktakuzës ndaj tij shteti e ka kryer punën e vet. Duhet të na zgjojë nga gjumi.

Sepse pyetja që mbetet nuk është kush është Fatmir Sheholli. Për këtë tashmë dimë shumë.

Pyetja është:

Kush janë shehollët që nuk i dimë?



[1] Telegrafi, „Lidhjet me BIA-n serbe, materialet sekrete e ‘Kosova si Kandahar’ – dosja e plotë ndaj Fatmir Shehollit“, 25 gusht 2026. Artikulli riprodhon dhe citon aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të 24 gushtit 2026. 

[2] Adile Agushi, KALLXO.com, „Deklarimi i Shehollit në Prokurori: Pohon se ka pasur kontakte me zyrtarin e BIA-s, mirëpo nuk e pranon se ka spiunuar“, 25 gusht 2026. Artikulli raporton deklarimet e Fatmir Shehollit të dhëna në Polici dhe në Prokurorinë Speciale, të përfshira në dosjen e Prokurorisë. 

[3] KOHA, „Sheholli dikur mori mbi gjysmë milion euro nga AKI-ja, tash me aktakuzë si bashkëpunëtor i BIA-s“, 25 gusht 2026. Artikulli i referohet raportit të dalë nga inspektimi i brendshëm i AKI-së për periudhën 2017–2020, të përcjellë në Prokurorinë e Shtetit në vitin 2024, sipas të cilit Fatmir Sheholli kishte pranuar 639 mijë euro nga fondi special i AKI-së. 

[4] Arton Hamiti, KALLXO.com, „Arrestohet Fatmir Sheholli nën dyshimet për spiunazh“, 9 tetor 2025. Në artikull riprodhohet deklarimi i mëhershëm i Fatmir Shehollit për KALLXO.com, në të cilin ai pranon bashkëpunimin me AKI-në, por nuk jep përgjigje të drejtpërdrejtë për shumën prej rreth 640 mijë eurosh; po aty citohet edhe konfirmimi i kryeinspektorit të AKI-së lidhur me përfitimin e mjeteve nga Sheholli.

 

[5] Adile Agushi, KALLXO.com, „Deklarimi i Shehollit në Prokurori: Pohon se ka pasur kontakte me zyrtarin e BIA-s, mirëpo nuk e pranon se ka spiunuar“, 25 gusht 2026. Artikulli raporton deklarimet e Fatmir Shehollit të dhëna në Polici dhe në Prokurorinë Speciale, të përfshira në dosjen e Prokurorisë. 

 

[6] Jehona Hulaj, Telegrafi, „Aktakuza ndaj Shehollit: ‘Leptir’, plani operativ për komprometimin e Kurtit“, 25 gusht 2026. Artikulli i referohet aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe raporton se dokumenti operativ „Leptir“, i vitit 2001, është gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit; gjatë deklarimit në Prokurori, Sheholli ka thënë se dokumentin ia kishte dërguar kontakti që Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s.

 

[7] Periskopi, „‘Pas 20 vitesh Kosova do të duket si Kandahari’ – Dokumenti ‘Top Sekret’ iu gjet Fatmir Shehollit në telefon“, 25 gusht 2026. Artikulli, duke iu referuar aktakuzës së Prokurorisë Speciale, raporton për dokumentin „Top Sekret 2“ të gjetur në telefonin e Shehollit, në të cilin përshkruhen, ndër të tjera, ndikimi përmes personave me prani në media, politikë, sport e muzikë, ndërtimi i xhamive, ndikimi te shqiptarët jashtë Kosovës dhe krijimi i perceptimit të Kosovës si shoqëri e radikalizuar; në dokument përdoret edhe formulimi se pas njëzet vjetësh Kosova do të dukej „si Kandahari“.

shehollidimëshehollët

Të ngjashme

“Kosova si Kandahar” dhe rasti Sheholli – Myftiu Tërnava: Të ndalen fushatat që synojnë të njollosin BIK-un

“Kosova si Kandahar” dhe rasti Sheholli – Myftiu Tërnava: Të ndalen fushatat që synojnë të njollosin BIK-un

11:39