(Duke e kujtuar profesorin tim, Rexhep Qosjen, që sot do t’i mbushte 90 vjet)

Murteza Osdautaj

Në jetën e një kombi, në historinë e tij, rilindësit dhe iluministët nuk paraqiten vetëm në një periudhë historike. Rilindësit dhe iluministët e mirëfilltë lindin dhe paraqiten në të gjitha kohërat dhe epokat historike dhe, me mendimet dhe me filozofinë e tyre, e ndërtojnë apo edhe e gdhendin, deri në përsosmëri, identitetin kulturor dhe dituror të kombit dhe të shtetit. Iluministët e një kombi e bëjnë edhe një punë. Ata e mbjellin brenda gjeneratave shpirtin e ri, dijen moderne, perspektiven për një vështrim tjetër të historisë, të botës, të kombit, e mbjellin tek veprimi i tyre përpjekjen e vazhdueshme për ta ndërtuar shtetin dhe lirinë. Iluministët janë ndriçues të amshueshëm të rrugëve të njerëzve dhe të popujve. E konsideroj veten me fat të madh që isha student i rilindësit dhe iluministit të fundit të shqiptarëve. Isha nxënës, për shumë vjet, i Profesor Qosjes. E kisha profesor në studimet bazë, ishte mentori im në studimet e atëhershme të magjistraturës dhe ishte udhërrëfyesi im kur e përgatisja doktoratën. Ishin afër njëzet vjet që Profesor Qosjaishte përcjellësi im dhe, në një farë mënyre, ndriçuesi i rrugës time njerëzore, shkencore dhe kombëtare. Qosja më mësoi se si ta vlerësoj, ta dua e ta studioj artin dhe letërsinë, Ai më mësoj të mendoj në mënyrë filozofike dhe se si t’i qasem të menduarit filozofik në lidhje me artin dhe të bukuren. Qosja më mësoj se si, pa marrë parasysh kapaciteteve dhe dijeve shkencore dhe filozofike të momentit, studimit të një problemi shkencor por edhe një problemi kombëtar duhet t’i shkohet deri në fund. Në anën tjetër, Profesori më mësoj se një çështje shkencore dhe filozofike por edhe një çështje kombëtare nuk mund të përmbyllet kurrë përfundimisht ngase, në kohë të ndryshme dhe në periudha të ndryshme, këto çështje do të vështrohen nga perspektiva dhe këndvështrime të reja shkencore, filozofike dhe politike. Ai më mësoj se çështjet dhe problemet duhet të analizohen e studiohen deri fund porse ky ‘fund’ mund të jetë i tillë vetëm brenda një konteksti dhe kornize kohore dhe diturore të caktuar. Ai më mësoj se dijet, shkenca janë të pafundme ndërsa kombi është si një godinë biblike që duhet ndërtuar aq sa të ekzistojë njeriu. Qosja, profesori im, na bëri nacionalistë modern, na mësoi se kombi ndërtohet me historinë e tij të kaluar, me politikat e tij të të tashmes dhe me dijet dhe me vizionet e ndërtuara për të ardhmen. Profesori im konsideronte se ne jemi misionarë të përhershëm të dijes, të shkencës dhe të kombit. Për këtë, duke qenë ndriçuesi ynë, pra iluministi që na ndërtoi shkencërisht dhe kombëtarisht, Ai ishte njeriu qe na mësoi që misionin e tij shkencor dhe patriotik ta vazhdojmë quke qenë edhe ne iluministë (ndriçues) të të ardhmes së gjeneratave të reja dhe të kombit. Profesor Qosja, me shembullin e tij, ishte edhe një model se si duhet ta ndërtojmë intelektualisht veten tonë dhe se si duhet t’iu qasemi përpjekjeve për të ardhmen tonë dhe të popullit tanë. Të gjithë ne, studentët e tij, trashëguam prej tij ashpërsinë e mendimit dhe butësinë e veprimit. Si një profesor me një erudicion të veçantë, si një njeri i ndërtuar mbi kodet e nderit dhe të dinjitetit njerëzor, ai futej shpesh në polemika të cilat, ndonjëherë, edhe e kalonin cakun e një polemike intelektuale dhe akademike. Në këtë aspekt të figurës së Profesorit tim, dua ta cekë se ai, asnjëherë, nuk kishte dalë i mundur nga kundërshtarët e tij polemistë. Sido që të jetë, profesori im, prej se e njoh, ishte dhe mbeti intelektuali dhe eruditi më me ndikim, më me guxim dhe më me dinjitet në Kosovë dhe edhe në Shqipëri. Puna e tij kërkimore, letrare, kombëtare dhe publicistike është aq vëllimore saqë, në tërë rrafshin shqiptar, nuk mund ta gjesh një të dytë si ai për nga mendimi shkencor, mendimi filozofik dhe veprimi kombndërtues . Studimet e tij të letërsisë dhe, sidomos, të historisë së letërsisë janë baza e përhershme prej nga duhet të niset secili hulumtues i letërsisë. Profesori ndjeki mënyrën e tij të studimit dhe, kurrë, nuk u bë rob i një orientimi apo i një shkolle të veçantë. Ai i kishte vënë vetes detyrë që letërsinë kombëtare ta studiojë në mënyrë integrale ashtu që studiuesit e ardhshëm të kishin një trase të rrahur për studime specifike dhe të diferencuara. Ai ndërtoi platformë të mbrojtjes kombëtare dhe këtë formë të veprimtarisë e rrumbullakoi me disa vepra shkencore e publicistike në të cilat angazhohej për lirinë dhe pavarësinë e vendit, Në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, Profesori im dhe Ibrahim Rugova ishin figurat qendrore të asaj që mund të quajmë rezistencë kombëtare paqësore. Ata përballeshin me aparatin politik të ish Jugosllavisë por edhe me klasën e intelektualëve të asaj ngrehine shtetërore që u shkatërrua gjatë atyre viteve. Diskutimet, polemikat dhe përballjet në mes të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë ishin fillimi i një procesi që mund ta quajmë ndarja definitive politike në mes të Kosovës dhe Jugosllavisë dhe Serbisë. Protagonistë në këtë diskutime të mëdha ishin Prefesori im, Ibrahim Rugova dhe shumë shkrimtarë dhe emra të tjerë të artit dhe të kulturës në Kosovë. Si gjithmonë, poetët dhe shkrimtarët tanë dilnin fitues me shumë dinjitet dhe me shumë dije. Këto ditë Profesor Qosja do t’i mbushte 90 vjet. Iku pak më herët se kjo datë. Megjithatë duhet të thuhet se gjurmët e tij dhe shpirti i ti i studimit të letërsisë dhe të kulturës kombëtare do të jenë përjetë themel i cilitdo studim për letërsinë, kulturën dhe politikat kombëtare. Qosja ishte profesor dhe njeri i veçantë. Kurrë në jetën e tij dhe asnjëherë gjatë studimeve të mia të doktoratës nuk më këshilloi që një studiues apo një autor ta trajtoja në këtë a atë mënyrë. Ai kurrë nuk më tha që mos ta marr për bazë mendimin dhe studimet e ndonjë autori edhe nëse kundërshtarët e tij i ‘këshillonin’ studentët e tyre që mos t’i marrin për bazë apo mos të bazohen në studimet dhe të gjeturat shkencore të Qosjes. Me Qosjen, shpesh, nuk kishim qëndrime politike të njëjta. Unë isha më person që përkrahja qëndrimet e lëvizjes paqësore të Ibrahim Rugovës dhe Profesori im ishte më ‘radikal’ dhe çështjet i shikonte më me shumë emergjencë dhe kërkonte më shumë veprim . Gjithë kjo kundërshti nuk ndikoi kurrë në marrëdhënien tonë Profesor-student. Ai respektonte personin tim dhe unë e doja profesorin tim, gjithmonë duke e përjashtuar aspektin e qëndrimeve të ndryshme politike që kishim. Duke qenë se isha nxënës i Qosjes, jo gjithherë kam kaluar mirë. Njerëzit nga politika të rrymave që nuk e përkrahnin Qosjen, shpesh më distanconin për shkak se isha ‘nxënës’ i tij. Gjithsesi nunë nuk e kam mohuar kurrë se, në aspektin shkencor, estetik dhe shpirtëror, kam mbetur dhe do të mbes ‘nxënës’ i përhershëm i personalitetit më të rëndësishëm shkencor shqiptar të shekullit njëzetë dhe të këtij fillim shekulli. Unë ende konsideroj se Qosja ishte njeriu më i ditur dhe më i lexuar shqiptar i shekullit njëzet dhe i këtij fillmshekulli. Konsideroj, gjithashtu, se Qosja ishte dhe do të mbetet një pasuri kombëtare dhe shpresoj se në historinë tonë të shkencës dhe të kulturës do ta zërë vendin që e ka ndërtuar dhe merituar. Qosja është pasuri dhe trashëgimi kombëtare e tërë kombit. Ai dhe Kadare ishin dy figurat më të rëndësishme të artit, të shkencës dhe të kulturës shqiptare të shekullit njëzet. Duke qenë një nga pasardhësit e tij ideor dhe shkencor nuk kam se si të mos ndihem krenar që do ta bartë me vete një pjesë të dritës së tij diturore dhe të njëjtën të mundohem ta shpërndajh tek gjeneratat të cilat nuk e kishin fat të ishin nxënës dhe pasardhës të tij. Faleminderit, Profesor, që ishte ndriçues i mendjes dhe i rrugës së shumë gjeneratave dhe i kombit. Lum ne që të kishim mësues! Gëzuar ditëlindjen!