ROTOKOLLI I TULIT TË BUKËS – Nr. 01/2025
Letër Kthim Protokollare
Përgjigje mikut tim Xhafer Shatri
nga: Sak Muji (Sylë Mujaj)
I burgosur politik 1981–1990 – Amza e Burgut: Nr. 712
Autor i “Portreti i Nënës nga Tuli i Bukës”
____
I nderuari Zotëri Xhafer Shatri,
Me respektin që ia kam ruajtur burgut, bukës dhe idealit, pranova me vëmendje mesazhin Tuaj diplomatik të ditës, i cili si gjithmonë u lexua me hijeshi protokollare dhe me fjalë që peshojnë si nga ndonjë zyrë e ftohtë e Gjenevës.
Në cilësinë time modeste të “ish-i dënuari politik që gdhend fytyra në tul buke”, më lejoni t’Ju njoftoj se nuk do të përmirësohem as këtë herë.
Mbetem i pandryshuar, kokëfortësisht idealist dhe sentimental deri në palcë.
E ku ta gjej unë “realizmin politik” që përmendni Ju, kur mjetet e mia diplomatike dikur ishin:
– një copë bukë e tharë,
– një gotë ujë pa sheqer,
– dhe një fletë që duhej gëlltitur para se të hynte roja.
Ju i njihni mirë sallonet, unë i njoh qelitë.
Ju keni përfaqësuar kauzën në tryeza, unë në gurë.
Por, për çudi, të dy flasim për të njëjtën atdhe.
Në stilin tuaj të butë e me përvojë, më kujtoni se “historia s’është bardhë e zi”.
Por për fat të keq, në burg unë s’e pashë asnjë ngjyrë tjetër – vetëm bardhësinë e dhimbjes dhe zezësinë e padrejtësisë.
Aty u mësova ta gdhend jetën si bukë që s’duhet ngrënë, por ruajtur si kujtim.
E kuptohem me Ju, sepse e respektoj diplomacinë, por nuk do ta ndërroj kurrë me idealizmin.
Diplomacia shpesh e shpëton fytyrën, kurse idealizmi – shpirtin.
Prandaj, si një akt i sinqertë protokollar, Ju njoftoj se edhe pas këtij komunikimi, nënshkruari Sak Muji mbetet i papërmirësuar nga idealizmi atdhetar, madje edhe nëse firmos me stilolaps… të bërë nga tuli i bukës.
Me respekt, humor dhe kujtesë të burgosur,
Sak Muji (Sylë Mujaj)
P.S.
Mik i dashur Xhafer,
e di që ti e sheh historinë me ngjyra, diplomatikisht —unë, për fat, e kam parë bardhë e zi.
Sepse në qeli, ngjyrat i sjell vetëm shpresa, e shpresa është e vetmja që s’ka luks as sallon.
Ti flet për realizëm politik — dhe mirë bën.
Por unë s’kam qenë kurrë diplomat, jam ai që e ka gdhendur “politikën” me dhëmbë, kur buka nuk hahej, po bëhej portret.
Në botën tënde, diplomacia shërben për të pajtuar.
Në botën time, arti shërben për të mos harruar.
Në mes të këtyre dy botëve, ne të dy ecim:
ti me penën, unë me plagën.
Ti në sallë, unë në qeli.
