Të nderuar,
Në emër të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju drejtohemi me këtë iniciativë të veçantë dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie historike, për të propozuar themelimin e “Çmimit Vjetor 17 Shkurti 2008”, një nderim të përhershëm për momentin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kjo iniciativë vjen pikërisht në tetëmbëdhjetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, si dëshmi e falënderimit për të gjithë ata që kontribuan në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.
Ky çmim ka për qëllim të njohë dhe vlerësojë deputetët dhe udhëheqësit e shtetit tonë që me kurajë dhe përgjegjësi nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Me këtë iniciativë, synojmë që brezat e ardhshëm të kenë një kujtesë të gjallë të përpjekjeve të jashtëzakonshme të individëve që vunë themelet e një historie të re, të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar.
“Çmimi Vjetor 17 Shkurti 2008” nuk do të shërbejë vetëm si një nderim simbolik, por edhe si një frymëzim për të gjithë qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Ai të jepet çdo vit për personalitete të shquara, intelektualë, liderë dhe kontribues të jashtëzakonshëm në zhvillimin e institucioneve, forcimin e demokracisë, edukimin e brezave të rinj dhe shndërrimin e Kosovës në një shoqëri të drejtë, progresive dhe të respektuar ndërkombëtarisht.
Me rastin e themelimit të “Çmimit Vjetor 17 Shkurti 2008”, të organizohet një ceremoni shtetërore, ku do të ftohen udhëheqës shtetërorë, përfaqësues të ambasadave dhe të gjithë nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ky çmim fillimisht të ju ndahet të gjithë 110 firmëtarëve të Deklaratës, duke nisur nga Presidenti i atëhershëm, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe të gjithë deputetët nënshkrues. Ky veprim do të jetë një satisfaksion i merituar për nënshkruesit dhe për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës.
Ne besojmë se themelimi i këtij çmimi do të përfaqësojë një vlerësim të merituar historik, duke lidhur së bashku të kaluarën heroike të vendit me përpjekjet dhe angazhimin e individëve që vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove të fortë dhe të pavarur. Ky çmim mund të ketë edhe një ceremoniale zyrtare, ku institucionet e vendit, shoqëria civile, akademikët dhe qytetarët e interesuar të jenë pjesëmarrës, duke e bërë atë një ngjarje të përvitshme me rëndësi kombëtare dhe institucionale. Ne, si Lidhje e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, kemi besim të plotë se ky çmim do të bëhet një simbol i respektit të përhershëm për historinë e vendit tonë, për kontributin e nënshkrueseve e nderuar të pavarësisë dhe për të gjithë ata që punojnë me përkushtim për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të zhvilluar.
Me respekt,Dr.Shkodran IMERAJ Kryetar i LHK “Ali Hadri” dega në Deçan