Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Këndvështrime

Drita Kuqi – Kastrati u përcoll me nderimet e miqve, por me heshtjen e institucioneve

GD
Gazeta Demos29 maj 2026 në 14:26
Drita Kuqi – Kastrati u përcoll me nderimet e miqve, por me heshtjen e institucioneve

Ibish Neziri

Në kujtim të Drita Kuqi-Kastratit, e cila gjithë jetën e vuri në shërbim të çështjes kombëtare

Dje, në Plan-les-Ouates të Kantonit të Gjenevës, iu dha lamtumira e fundit veprimtares së çështjes kombëtare Drita Kuqi – Kastrati, anëtare e Komitetit të Deçanit të LNÇKVSHJ-së, bashkëveprimtare e Ismajl Haradinajt, Hasan Ukëhaxhajt, Jashar Salihut, Avdullah Hasanmetajt, Xhavit Hoxhës, Din Ahmetajt, Nazmi Selmanajt, Nimon Mustafës, Ali Dervishajt e shumë veprimtarëve të tjerë të kohës, ish e burgosur politike e vitit 1981, ish anëtare e redaksisë së gazetës “Bashkimi”, organ i Bashkësisë së Klubeve dhe Shoqatave Shqiptare në Zvicër, veprimtare e palodhshme e mërgatës shqiptare dhe grua që gjatë luftës u vu në shërbim të UÇK-së me aq sa mundi, me aq sa pati forcë. Arkivoli i saj ishte i mbuluar me flamurin kombëtar, me atë flamur për të cilin ajo jetoi, veproi, u përndoq, u burgos dhe sakrifikoi vitet më të bukura të rinisë së saj. Ishte një pamje e rëndë dhe krenare njëkohësisht. Përballë arkivolit qëndronin familjarët, shokët, bashkëveprimtaret, bashkëveprimtarët, mërgimtarët dhe miqtë që kishin ardhur për ta përcjellë në udhëtimin e fundit një grua të rrallë, një nënë të dy vajzave të mrekullueshme, një grua të heshtur në fjalë, por të madhe në vepra. Kishte lule. Kishte lot. Kishte dhimbje të sinqertë. Kishte telegrame ngushëllimi nga shoqe burgu e bashkëveprimtare të saj, të cilat, ndonëse nuk mundën të ishin fizikisht të pranishme, ishin aty me shpirt, me kujtime dhe me dhembjen e tyre. Kishte telegram ngushëllimi edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, e cila nderoi kujtimin dhe kontributin e Drita Kuqi – Kastratit. Kishte telegram edhe nga Hasan Ukëhaxhaj, bashkëveprimtari i saj i dikurshëm, i cili në pamundësi për të marrë pjesë, kishte dërguar fjalët e tij të dhimbjes dhe respektit. Kishte evokime prekëse për jetën dhe rrugëtimin e Dritës. Por, në mesin e gjithë asaj dhimbjeje dhe dinjiteti njerëzor, vërehej rëndë një mungesë tjetër. Mungonte shteti. Mungonin institucionet e Republikës së Kosovës, për të cilën Drita dha aq shumë nga vetja.

Në Zvicër ndodhet Ambasada e Republikës së Kosovës dhe tri konsullata, njëra prej të cilave në Gjenevë. Por asnjëra nuk ishte e pranishme në ceremoninë mortore të një gruaje që dikur kishte sakrifikuar lirinë personale për lirinë e Kosovës. Asnjë telegram zyrtar. Asnjë përfaqësues institucional. Asnjë shenjë kujdesi institucional. Komuna e Junikut, vendlindja e saj, mbajti mbledhje komemorative me 28 maj dhe nderoi kujtimin e Drita Kuqi – Kastratit. Megjithatë, as nga kjo komunë nuk pati telegram ngushëllimi apo përfaqësim në ceremoninë mortore. Mungoi Komuna e Deçanit, ku Drita u formua si veprimtare dhe dha një pjesë të rëndësishme të kontributit të saj kombëtar. Mungoi edhe Dardana, ku Drita krijoi familjen e saj dhe së cilës i përkiste me shpirt e me zemër. U organizua edhe komemoracioni i merituar nga familjarët, miqtë dhe bashkëveprimtarët e saj. U mbajtën fjalë përkujtimore dhe evokime dinjitoze për jetën dhe veprimtarinë e Drita Kuqi – Kastratit. Por ajo që mungoi ishin mbledhjet komemorative institucionale në komunat me të cilat Drita ishte e lidhur ngushtë me jetën dhe veprimtarinë e saj, në Deçan dhe në Dardanë. Do të kishte qenë krejtësisht e natyrshme që këto institucione, të paktën pas njoftimit për ndarjen e saj nga jeta, të ndaleshin për një çast për të nderuar kujtimin e një gruaje që kishte dhënë një kontribut të çmuar për Kosovën dhe për çështjen kombëtare. Nuk pati asnjë fjalë institucionale nga ata që do të duhej të ishin aty. Nuk pati as atë minimumin moral që një shtet duhet ta ketë ndaj njerëzve që sakrifikuan për të. Dhe kjo mungesë dhembte po aq sa vetë ndarja nga jeta e Dritës. Sepse Drita Kuqi – Kastrati nuk ishte një emër i zakonshëm. Ajo i përkiste atij brezi grash dhe burrash që bartën mbi supe kohë të rënda, burgje, ndjekje, frikë, mërgim dhe sakrificë, pa kërkuar asnjëherë privilegje, poste apo lavdi personale. Ajo i dha Kosovës atë që kishte më të shtrenjtë: rininë dhe jetën e saj. Prandaj sot mbetet një pyetje e rëndë dhe e dhimbshme: A dimë ne t’i nderojmë njerëzit tanë derisa janë gjallë? Dhe kur ata ikin nga kjo botë, a dimë t’i përcjellim me dinjitetin që e kanë merituar? Drita e kreu detyrën e saj me dinjitet ndaj kombit. Mbetet që institucionet tona të pyesin veten nëse e kryen detyrën e tyre ndaj Dritës.

Drita Kuqi

Më shumë nga Këndvështrime

  • 17:26Austria thyen rekordin e të gjitha kohërave për temperaturat
  • 20:10Tragjike: Policja 31-vjeçare vdes pas heqjes së implanteve të gjirit