Ka momente kur padrejtësia nuk të lejon të heshtësh. Ka institucione që funksionojnë vetëm kur sheh diku tjetër. Dhe ka raste kur heshtja e shoqërisë bëhet garanci për abuzim.
Pikërisht për këtë, ky shkrim është i domosdoshëm. Një kthim i detyruar te fjala e lirë Pas një heshtjeje prej më shumë se tre vjetësh, para rreth tre muajsh iu ktheva sërish shkrimit publicistik — jo nga nostalgjia, por nga nevoja që ndjeja për ta thanë përsëri mendimin tim.
Dhomat e Specializuara në Hagë, me mënyrën e tyre të funksionimit, më shtynë të rikthehem. Brenda këtyre tre muajve botova në Demos dhe disa portale tjera katër shkrime mbi këtë temë, dhe mendova se ndoshta aq mjaftonte. Por padrejtësia nuk mjaftohet me një reagim të vetëm.
Kur shkelja ndodh përditë, reagimi duhet të jetë po aq i përditshëm. Dhomat e Specializuara, megjithëse formalisht pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës, po sillen si një entitet i shkëputur, një ishull juridik pa llogaridhënie, një mekanizëm që vepron mbi Kosovën, por jo nën juridiksionin e saj. Kjo nuk është thjesht çështje procedurale — është çështje sovraniteti.
Kushtetuta e Kosovës jashtë dyerve të Hagës Deklarata e Ombudspersonit të Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj, pas vizitës së tij në Hagë, ngriti shqetësime të thella. Vizita e tij u monitorua në çdo hap dhe atij iu pamundësua të merrte shënime — një akt që bie ndesh drejtpërdrejt me mandatin kushtetues të Avokatit të Popullit, i cili duhet të ketë qasje të pakushtëzuar te çdo person i privuar nga liria.
E ndërkohë, zëdhënësi i Dhomave, Michael Doyle, deklaroi se Ombudsperson kompetent për objektin e paraburgimit nuk është Avokati i Popullit i Kosovës, por një gjyqtar i brendshëm i Dhomave — Pietro Spera. Kjo logjikë është një përmbysje e parimit bazë “nemo judex in causa sua”: askush nuk mund ta mbikëqyrë vetveten. Dhomat e Specializuara pra, janë futur në një pozitë që asnjë institucion i drejtësisë nuk duhet ta ketë: të jetë gjykatës, rregullbërës dhe mbikëqyrës i vetvetes. Kjo s’i ngjan më një mekanizmi të drejtësisë — i ngjan më shumë një strukture që e ka frikë kontrollin.
E gjithë kjo na rikthen te një realitet i thjeshtë politik: sa kohë që një institucion i Kosovës e mohon autoritetin e institucioneve të Kosovës, ne nuk kemi të bëjmë me drejtësi “sui generis”, por me juridiksion të importuar, që mban vulën e Kosovës vetëm për të legjitimuar veten. Paradoksi i drejtësisë në Hagë: Dhelpra kujdestare e pyllit Të paraburgosurit në Hagë nuk janë të dënuar.
Ata janë ende të pafajshëm sipas çdo standardi modern juridik. Pengimi i qasjes së Avokatit të Popullit nuk është gabim procedural — është sinjal moral alarmues. Aty ku nuk tolerohet vëzhgimi, zakonisht ka çfarë të fshihet. Në këtë kontekst, emërimi i gjyqtarit Pietro Spera si Ombudsperson i Dhomave është kulmi i paradoksit.
