LajmeNdërkombëtare

Kapet 28-vjeçari shqiptar në Zvicër, tentoi t’i shiste policit të infiltruar detergjent si kokainë

Një 28-vjeçar shqiptar është dënuar nga autoritetet zvicerane pasi tentoi të mashtronte një hetues të infiltruar të policisë, duke i shitur detergjent rrobash në vend të kokainës.

Ngjarja ka ndodhur në stacionin qendror të trenit në Zürich dhe ka përfunduar me arrestimin e të riut vetëm pak minuta pas dorëzimit të “mallit”.

Sipas mediave zvicerane dhe urdhrit penal të Prokurorisë Zürich-Limmat, kontakti mes të dyve ishte vendosur përmes një profili në Facebook me emrin “Hello Halil”. Pas komunikimeve online, palët kishin rënë dakord për shitjen e 50 gramëve kokainë kundrejt shumës prej 2400 frangash zvicerane.

Takimi është zhvilluar më 2 janar, rreth orës 20:25, pranë një binari në stacionin kryesor të trenit në Zürich. I dyshuari i ka dorëzuar hetuesit një çorape ngjyrë hiri, brenda së cilës ndodhej një qese plastike e mbyllur hermetikisht, duke pretenduar se përmbante lëndën narkotike të porositur.

Megjithatë, kur agjenti ka kërkuar që paketa të hapej për të verifikuar përmbajtjen, 28-vjeçari ka refuzuar. Pas arrestimit dhe kontrollit të substancës nga autoritetet, është konstatuar se në qese nuk kishte kokainë, por detergjent rrobash.

Sipas gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, prokuroria nuk e ka akuzuar të riun për trafik narkotikësh, por për tentativë mashtrimi. Arsyetimi ligjor bazohet në faktin se ai kishte tentuar të përfitonte para në mënyrë të paligjshme duke shfrytëzuar besimin e blerësit dhe duke ofruar një produkt të rremë që nuk mund të kontrollohej menjëherë.

28-vjeçari, i cili nuk kishte vendbanim të përhershëm në Zvicër, është mbajtur në paraburgim për dy ditë.

Në fund, ai është dënuar me një gjobë prej 1200 frangash zvicerane, si dhe me 800 franga shtesë për shpenzimet gjyqësore.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button