Gazi nga SHBA-ja, vendimtar për sigurinë kombëtare të Kosovës
Në kohën kur Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e tyre energjetike në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë është rikthyer debati për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.
Diskutimi vjen mes përpjekjeve të Uashingtonit për t’i diversifikuar burimet energjetike në rajon dhe nevojës së Kosovës për të siguruar stabilitet afatgjatë në sektorin e energjisë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka prezantuar tashmë një dokument, i cili trajton çështjen e gazit të lëngshëm natyror nga SHBA-ja në Evropë dhe potencialin e tij për Kosovën.
Drejtori ekzekutiv i kësaj ode, Arian Zeka, vlerëson në një intervistë për REL se gazi amerikan mund të luajë rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës, duke theksuar se siguria energjetike sot është e barasvlershme me sigurinë kombëtare.
Në kontekstin e zhvillimeve globale, përfshirë konfliktet, çrregullimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve, ai thotë se është e domosdoshme që Kosova t’i kthehet seriozisht çështjes së gazit.
Një alternativë e tillë, sipas tij, do ta ndihmonte vendin të ulë varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe të sigurojë stabilitet më të madh në çmimet e rrymës.
Por, Zeka e konsideron shqetësuese mungesën e një qëndrimi të qartë institucional për përfshirjen e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit.
“Gjithçka varet nga vullneti politik. Ndoshta jemi pak mbrapa në aspektin e legjislacionit ose të infrastrukturës ligjore. Financimi mund të sigurohet lehtë për këtë projekt. Prandaj, mungesa e qartë e një zotimi të Qeverisë, se Kosova do të bëhet pjesë e një infrastrukture të tillë, është pak paradoksale”, thotë Zeka.
Ai thekson se nga investitorët amerikanë ka interes dhe gatishmëri konkrete për të investuar në sektorin energjetik në Kosovë.
Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.