Një javë pasi Gjykata Kushtetuese gjeti se një paragraph i Statutit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Qeveria në detyrë është mbledhur dhe plotësuar dhe ndryshuar këtë statut.
Mbledhja e Qeverisë është mbajtur dje, ku krahas këtij vendimi, është vendosur edhe për katër çështje tjera.
Kërkesa për vlerësim të kushtetueshmërisë së këtij akti ishte dorëzuar nga Avokati i Popullit. Statuti ka hyrë në fuqi më 8 janar të vitit të kaluar, teksa është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor 2023.
Kushtetuesja e kishte urdhëruar Qeverinë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij paragrafi.
Neni i kontestuar ka të bëjë lidhur me organizimin e shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) të konstatojë se paragrafi 1 i nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, i miratuar përmes Vendimit [Nr. 29/180] të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të 27 dhjetorit 2023, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 4 të nenit 92 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të urdhërojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, që në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 1 të nenit 11…”, thuhet në njoftim.
Kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar.