Me rastin e Ditës Botërore pa Duhan, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, organizoi aktivitet ndërgjegjësues me moton: “Zbulimi i joshjes – luftimi i varësisë nga nikotina dhe duhani”.
Drejtoresha ekzekutive e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Ardita Baraku, tha se industria e duhanit po targeton të rinjtë përmes reklamimit indirekt, rrjeteve sociale dhe promovimit të produkteve si më pak të dëmshme.
Ajo theksoi se produktet e reja të nikotinës po paraqiten si moderne dhe atraktive, ndërkohë që pasojat e tyre përfshijnë varësi, sëmundje kronike dhe rrezik të shtuar për shëndetin publik.
Sipas saj, institucionet në Kosovë po ndërmarrin masa konkrete për kontrollin e duhanit, përfshirë përditësimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, monitorimin e zbatimit të tij dhe zhvillimin e aktiviteteve edukative në shkolla dhe institucione shëndetësore.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, ka deklaruar se Dita Botërore pa Duhan nuk është vetëm një datë simbolike në kalendarin ndërkombëtar të shëndetit publik, por një thirrje globale për vetëdijesim dhe veprim konkret në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e Ditës Botërore pa Duhan, Muçaj tha se tema e sivjetme e përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, “Zbulimi i lojës – luftimi i varësisë nga nikotina dhe duhani”, pasqyron një nga sfidat më serioze të kohës sonë.
Sipas tij, industria e duhanit po përdor forma gjithnjë e më agresive për të targetuar të rinjtë, përfshirë marketingun digjital, paketimet atraktive, aromat artificiale dhe forma të reja promovimi që krijojnë perceptim të rremë për sigurinë dhe pranueshmërinë sociale të produkteve të nikotinës.
“Përdorimi i duhanit vazhdon të mbetet ndër shkaktarët kryesorë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së parandaluar në botë”, tha Muçaj.
Ai theksoi se duhanpirja lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet kronike të mushkërive, forma të ndryshme të kancerit, si dhe me uljen e cilësisë dhe jetëgjatësisë.
Muçaj ngriti shqetësimin edhe për rrezikun që paraqet tymi pasiv, sidomos për fëmijët dhe grupet më të ndjeshme të popullatës.
“Lufta kundër duhanit nuk është vetëm çështje individuale. Është çështje e shëndetit publik, e edukimit, e përgjegjësisë institucionale dhe e vetëdijes shoqërore”, deklaroi ai.