Gjykata Supreme ia ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ish-komandantit të njësitit BIA, Salih Mustafës. “Calit” i mbetet në fuqi dënimi me burgim prej 15-vjetësh, i dhënë nga Apeli, në shtator të vitit 2024.
E në lidhje me këtë ka reaguar anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se nuk e di cili është fati i këtij legjislacioni të Kosovës, por që do të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të një deputeti, për të vënë në lëvizje një mekanizëm që do të hedhë dritë mbi këtë proces, duke kërkuar llogaridhënie për gjithë ecurinë e tij.
“Nuk e di cili është fati i këtij legjislacioni të Kosovës, por di që do të bëj gjithçka brenda kapaciteteve të një deputeti për të vënë në lëvizje një mekanizëm që do të hedhë dritë mbi këtë proces, duke kërkuar llogaridhënie për gjithë ecurinë e tij. Premtimet e mia nuk ishin dhe nuk janë elektorale; ato janë përtej meje, janë për UÇK-në. Ne nuk i jemi frikësuar asnjëherë drejtësisë, por padrejtësisë. Prandaj, ta ngremë zërin të gjithë, pa dallim, dhe të kërkojmë drejtësi”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë I Haradinajt:
Në këtë mjegull lajmesh të njëpasnjëshme, shumica prej tyre jo të mira nga Kosova e rreth Kosovës, mes një procesi të tejzgjatur zgjedhor dhe një bote që ndryshon çdo sekondë para syve tanë – e ne mbetemi vetëm spektatorë, të larguar e të përjashtuar, të zhytur në fatura të fryra, nga energjia e deri te artikujt më bazikë, sot, luksi i të qenit i lirë dhe shtet, luksi i zgjedhjeve dhe çdo gjëje që frymon në Kosovë, i arritur përmes një lëvizjeje aq të madhe e të lavdishme si UÇK-ja, u dënua dhe u riafirmua edhe një herë në Hagë, duke vulosur dënimin e Calit.
Premtimet e mia nuk ishin dhe nuk janë elektorale; ato janë përtej meje, janë për UÇK-në.
Ne nuk i jemi frikësuar asnjëherë drejtësisë, por padrejtësisë.
Prandaj, ta ngremë zërin të gjithë, pa dallim, dhe të kërkojmë drejtësi!