Bytyqi kritikon ashpër Qeverinë: Iu dha lëmosha qytetarëve për festa – ne do të jemi krah atyre që kanë nevojë
Kandidatja e AAK-së për deputete në Kuvend, e cila garon me numër 6, Albana Bytyqi ka premtuar se në mandatin e saj si deputete, do të përkushtohet në mbështetje sociale ndaj qytetarëve.
Ajo me këtë rast ka kritikuar qeverisjen Kurti, duke vlerësuar se e njëjta i ka dhënë lëmosh qytetarëve e jo mbështetje, teksa veprimet e tilla i cilësoi si “gjeste të përkohshme”.
“Shteti nuk duhet të kujtohet për qytetarin vetëm para festave, me lëmoshë që zgjat një ditë, ne vlerë
monetare. Unë besoj se drejtësia sociale ndërtohet me politika të qëndrueshme, jo me gjeste të përkohshme”, tha ajo.
Bytyqi gjithashtu shtoi se beson që qytetarët kanë nevojë për siguri, përkujdesje dhe barazi gjatë gjithë vitit.
“Me mbështetjen dhe me besimin tuaj, do të angazhohem që mbështetja sociale të mos jetë favor, por e drejtë, që ligji të jetë mburojë për të gjithë. Zotimi im si deputete është për një shtet që kujdeset me ligje, me përgjegjësi dhe në krah të atyre që kanë nevojë”, tha ajo.