Bastisjet në ARBK, Prokuroria: Dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumenteve
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin e sotëm në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Prokuroria bën të ditur se aksioni po zhvillohet në bazë të urdhrit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas njoftimit, bastisjet në ARBK janë kryer për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’.
Prokuroria bën të ditur se aksioni është duke vazhduar.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion.
Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së”, bëhet e ditur në komunikatë.