“Është shumë e vështirë ta pranosh”, Arteta flet pas humbjes së Arsenalit
Trajneri Mikel Arteta, ka thënë se është e rëndë të pësosh humbje në finale të Ligës së Kampionëve, pas ekzekutimit të penalltive.
“Është shumë e vështirë ta pranosh. Kur je kaq i qëndrueshëm gjatë gjithë garës deri në finale dhe në fund e humb trofeun me penallti. Është shumë e vështirë.”
Arteta foli për aër atë që u tha lojtarëve pas disfatës.
“U thashë se jam shumë krenar për ta. Mendoj se këtë sezon, duke pasur parasysh rrethanat, vetëm ne brenda klubit e dimë se çfarë kemi kaluar. Ata na kanë dhënë shumë gëzim. Është privilegj të drejtoj këtë grup lojtarësh, këtë skuadër. Mendoj se mënyra se si e përfaqësojnë këtë stemë dhe sa shumë japin për të është e jashtëzakonshme. Arritëm shumë, por humbëm atë më të madhin.”
Për pyetjen nëse ky sezon ishte një hap i madh përpara:
“Nuk e kemi bërë këtë (fitimin e Premier League) për 22 vjet dhe është vetëm hera e dytë në historinë tonë që kemi arritur në finalen e Ligës së Kampionëve. Duhet ta vlerësojmë sezonin që kemi pasur. Por në këtë moment askush nuk mund ta largojë dhimbjen që ndjen.”
Për faktin se PSG-së iu desh shumë kohë për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe nëse Arsenali duhet ta kuptojë sa e vështirë është:
“Ne e dimë çfarë skuadrash kanë pasur në të kaluarën. Kanë një ekip të jashtëzakonshëm. Urime për ta. Janë shumë të vështirë për t’u përballur. Kjo është arsyeja pse janë kampionë për herë të dytë radhazi. Cilësia individuale që kanë, trajneri i tyre, janë një ekip i nivelit më të lartë.”
Për atë që e pret këtë grup në të ardhmen:
“Mendoj se duhet ta përjetosh këtë moment. Nëse ke dhimbje, përjetoje dhimbjen. Nëse mendon se mund të kishe bërë diçka ndryshe, mëso prej saj. Kjo është e gjitha. Reflekto dhe trego sërish ambicien që kemi.”
Arteta u pyet edhe për faktin që Gabriel mori përsipër penalltinë:
“Ai donte ta gjuante penalltinë e pestë. Ne jemi përgatitur dhe stërvitur për këtë moment.