Lajme

Vdekja e 31-vjeçarit në Vushtrri pas rënies nga objekti, Policia: Është iniciuar rast rrezikimi i sigurisë në vendin e punës

Një person ka vdekur si pasojë e rënies nga një objekt në ndërtim në Vushtrri, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 13:00, kur viktima ka rënë nga një kat i lartë i një objekti në ndërtim, në rrethana ende të paqarta.

“Policia në Vushtrri është njoftuar se nga një kat i lartë në një objekt në ndërtim ka rënë një punëtor në rrethana ende të panjohura. Ai është dërguar me autoambulancë në repartin e emergjencës në spitalin e Vushtrrisë, mirëpo nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, inspektorët komunalë dhe inspektorët e punës, për të hetuar rrethanat e rastit.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, është kontaktuar prokurori i krimeve të rënda, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës mashkull, rreth 31 vjeç, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet më tej në njoftim.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.

Back to top button