Arrestohet një person i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitë policore të rajonit të Gjakovës, më 10.05.2026, rreth orës 13:10, ka realizuar arrestimin e një personi të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar.
Sipas policisë personi i arrestuar, shtetasi kosovar me inicialet H.M., kërkohej përmes INTERPOL-it, bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Pas arrestimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në koordinim me autoritetet kompetente.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në realizimin e urdhër arresteve ndërkombëtare, me qëllim të luftimit të krimit dhe forcimit të sundimit të ligjit.