Tetë persona kanë përfunduar në pranga në kuadër të aksionit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për rastin e njohur si ‘Brezovica’.
Përmes raportit 24 orësh të Policisë, bëhet e ditur se tetë të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
“Njësitë policore me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale të lartcekur, duke vepruar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kanë bërë kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse pronë e tetë (8) të dyshuarve meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: Tri armë të shkurta me 28 copë fishekë, një veturë, pesë telefona dhe disa dokumente të cilat ndërlidhen me rastin.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në mesin e personave të arrestuar është Arian Idrizaj si dhe ish-kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina.
Gjatë këtij aksioni janë bastisur 12 lokacione të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan dhe janë gjithsej shtatë të arrestuar.
Kujtojmë se më 21 dhjetor 2021, gjatë aksionit ‘Brezovica’ u arrestuan 10 persona, ndër ta edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.
Ai po dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës ka pranuar ryshfet me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në vikend zonën e Brezovicës.