Zyrtari iranian del me një paralajmërim lidhur me luftën me SHBA-në
Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Islamike tha se “me gjasë” do të rinisë konfrontimi ushtarak mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara – vetëm dy ditë pasi Irani dorëzoi një draft-propozim për paqe te ndërmjetësi, Pakistani.
Mohammad Jafar Asadi, zëvendëskomandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, komanda qendrore e ushtrisë, i bëri këto deklarata më 2 maj, duke pretenduar se dëshmitë tregojnë se “Amerika nuk e respekton asnjë marrëveshje apo zotim”.
Ai i hodhi poshtë deklaratat dhe veprimet e SHBA-së që nga armëpushimi i 8 prillit, duke i ciësuar si gjerësisht të inskenuara, të dizajnuara, sipas tij, kryesisht për të ndalur rënien e çmimeve të naftës dhe për të ndihmuar Uashingtonin të “shpëtojë nga kurthi që e krijoi vetë”, raporton Radio Evropa e Lirë
Ai shtoi se forcat e tij janë në gjendje “gatishmërie të plotë” për çdo situatë të mundshme.
Këto deklarata erdhën në kohën kur janë të rritura tensionet diplomatike. Irani dorëzoi draftin e tij në Islamabad më 29 prill, raportuan mediat shtetërore, por nuk u dhanë detaje për përmbajtjen e tij.
Lufta e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt – është ndërprerë që nga 8 prilli, ndonëse një rund bisedimesh për paqe, i mbajtur në Pakistan, nuk ka prodhuar rezultate.
Në Uashington, transmeton klankosova.tv presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai nuk ishte i kënaqur me ofertën iraniane.
“Në këtë moment nuk jam i kënaqur me atë që po ofrojnë”, u tha ai gazetarëve, duke ia atribuuar bllokadën “mosmarrëveshjeve të mëdha” brenda udhëheqjes iraniane.
Ai e paraqiti zgjedhjen në mënyrë të prerë: “A duam të shkojmë dhe thjesht t’i shkatërrojmë plotësisht dhe t’i përfundojmë përgjithmonë – apo duam të përpiqemi të bëjmë një marrëveshje?”.
Trump tha se “do të preferoja të mos” zgjidhte opsionin e parë, “nga një këndvështrim njerëzor”.