Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar se rreth një javë pas sulmit në Ibër-Lepenc, situata e sigurisë në nivel vendi mbetet e qetë, por theksoi se në veri të Kosovës ende ekziston një pasiguri e vazhdueshme për shkak të “natyrave të ndryshme kriminale”.
“Situata e sigurisë në nivel vendi vlerësohet e qetë, aktualisht një situatë e qetë vlerësohet edhe në veri të vendit, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut.” – tha ai.
Kelani shtoi se pasojat e mundshme të këtij sulmi mund të ishin shumë të rënda për vendin, duke përfshirë rrezikun për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për ndikimin në operimin e termocentraleve të Kosovës.
“Angazhimet dhe masat shtesë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë në veri të vendit, me qëllim që banorëve të asaj zone tu ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste, akte këto si ky i fundit që ishte ndaj infrastrukturës kritike, dëmtimi i së cilës mund të kishte sjellë pasoja të mëdha për vendin, për termocentralet e po ashtu do të kishte lënë pa ujë të pijshëm shumë banorë të disa komunave, përfshirë edhe vet banorët në komunat në veri të vendit.” – tha ai./Nacionale/