Vendos KQZ: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme ka folur rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për subjektet politike do të jetë nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor.
Ai bëri të ditura edhe periudhat e certifikimeve të partive politike nga ana e KQZ-së.
“Periudha për certifikimin e partive politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor. Ky proces është ndryshe nga proceset e tjera, është i ndarë në dy faza. Bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike”.
“Lista e kandidatëve të partive politike, realizohet nga 24 nëntor deri më 7 dhjetor. Pra 7 dhjetori është data e fundit ku partitë politike mund të dorëzojnë listën e kandidatëve në KQZ”, tha Elshani.
Tërheqja e shortit nga ana tjetër, do të bëhet më 8 dhjetor.
Derisa sipas Elshanit, periudha e aplikimit për votuesit jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor, dhe mbaron me datën 6 dhjetor. Ndryshe, periudha e votimit me postë nis më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor.