Lajme

Vëmendja në Hagë: Dje Avokati i Popullit u shkroi shteteve financuese të Speciales, sot OVL-UÇK ankohet te ambasadat

Vetëm për dy ditë, vëmendja ka qenë kryesisht në Hagë.

Kjo pas vendimit për shtyrjen e aktgjykimit në rastin e krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

I pari ishte Avokati i Popullit që dje ua dërgoi raportin e ekspertëve britanikë shteteve financuese. Kurse, sot, OVL-UÇK u ka shkruar me ankesa ambasadave.

Raporti i britanikëve i shkon Marco Rubios

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ua ka dërguar një letër të gjitha shteteve financuese të Gjykatës Speciale.

Kjo pas gjetjeve alarmante të ekspertëve britanikë për shkeljet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një komunikatë për media, Avokati i Popullit ka treguar se kujt ia ka dërguar këtë letër.

“Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, z. Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë. Raporti u është dërguar znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, znj. Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe z. Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

“Në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit”, thuhet më tutje.

Qelaj në letër, ka kërkuar gjykim të drejtë, si parim bazë të drejtësisë.

“Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore”, ka shkruar Qelaj.

Pjesa tjetër e komunikatës:

Avokati i Popullit thekson rëndësinë e sigurimit që praktikat dhe procedurat e gjykatës të vazhdojnë t’u përmbahen plotësisht standardeve më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë gjyqësore. Ai shtoi se adresimi i shqetësimeve të identifikuara në raport është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të procesit gjyqësor.

Avokati i Popullit ka rikujtuar në letër se Republika e Kosovës ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj parimeve të drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Më tutje, theksohet se Republika e Kosovës ka përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare duke themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të legjislacionit zbatues nga institucionet e saj demokratike. Avokati i Popullit nënvizon gatishmërinë e qartë dhe të pakontestueshme të Kosovës për të kontribuar në mekanizmat ndërkombëtarë të llogaridhënies dhe për të mbështetur standardet më të larta të drejtësisë.

Në këtë letër, Avokati i Popullit po ashtu thekson se përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e Gjykatës për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tyre. Ai shtoi se një sjellje e tillë tregon një angazhim të fortë institucional nga Republika e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike ndaj parimeve të llogaridhënies, bashkëpunimit gjyqësor dhe respektimit të proceseve ligjore ndërkombëtare.

OVL-UÇK u shkruan ambasadave

Organizata e Veteranëve të Luftës i është drejtuar me letër ambasadave në Kosovë.

Aty kërkohet drejtësi nga Gjykata Speciale, dhe vendim që forcon stabilitetin, e jo që e cenon.

Njoftimi:

I/E nderuar Ambasador,

Ndërsa Kosova pret vendimin përfundimtar që do ta merret nga Gjykata Speciale, u drejtohemi miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në emër të mijëra veteranëve dhe qytetarëve, besimin e të cilëve e mbartim me përgjegjësi të plotë.

Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.

Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë.

Mbetemi të bindur se akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme. Kosova ka dëshmuar, vazhdimisht dhe pa rezerva, përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së detyrimeve të veta.

Prandaj, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë. Ai duhet ta çojë përpara partneritetin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare mbi bazën e respektit të ndërsjellë. Një vendim i tillë duhet të qëndrojë në harmoni me themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë: të siguruara përmes sakrificës, të mbrojtura përmes besnikërisë ndaj interesit kombëtar, të mbajtura gjallë nga vendosmëria e një populli liridashës.

Me respekt, OVL UÇK.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button