Inspektorati i Punës është duke vazhduar me inspektimin e bizneseve për të parë se a po zbatohet vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë shkaku i temperaturave të larta.
Nga 13 korriku e deri më 20 korrik, gratë shtatzëna do të lirohen nga puna, qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në katër orë si dhe ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00, sipas vendimit të MSh-së.
Deri më tash, janë identifikuar 28 subjekte që nuk e kanë zbatuar këtë vendim e që për të njëjtit do të shqiptohen gjoba.
Kështu ka konfirmuar për Paparacin kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
“Po, ditën e shtune 13 korrik, inspektorët e punës kanë hasur në 28 subjekte ku kanë konstatuar se nuk është respektuar vendimi dhe rrjedhimisht do të shqiptohen gjoba nga këtyre 28 subjekteve”, ka thënë Nikçi.
Tutje ai bëri të ditur se inspektimet po vazhdojnë edhe sot, ndërsa do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim deri në përfundim të këtij vendimi.
“IQP po vazhdon edhe sot dhe deri me 20 Korrik, deri kur është edhe vendimi në fuqi, që të bëje mbikqurjen e zbatimit te tij”.
Theksojmë se ky vendim u mor në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.