Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk është gati të përballet sërish me britanikun Daniel Dubois, në një meç historik që do të zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin “Wembley” të Londrës. Kjo sfidë do të përcaktojë kampionin e padiskutueshëm të kategorisë së rëndë në boksin profesionist.
Usyk, 38 vjeç, mban titujt WBA Super, WBO dhe WBC, ndërsa Dubois ka titullin IBF. Të katër versionet kryesore të boksit do të jenë në lojë në këtë meç. Dy boksierët u përballën edhe në gusht të vitit 2023, kur Usyk fitoi me ndërprerje në raundin e nëntë.
“Mosha nuk do të bëjë diferencë,” ka thënë Usyk. “E respektoj Duboisin, por jam po aq i motivuar sa ai. 38 vjet nuk janë shumë.”
Usyk është i pamposhtur në 23 meçe profesioniste, me 14 fitore me ndërprerje. Ai ka kujtime të veçanta nga Londra, ku fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të vitit 2012, por kjo do të jetë hera e parë që bokson në Wembley.
Në anën tjetër, 27-vjeçari Dubois ka 22 fitore (21 me ndërprerje) dhe dy humbje. Pasi u mund nga Usyk, ai u rikthye fuqishëm me fitore ndaj Jarrell Millerit, Filip Hrgoviqit dhe Anthony Joshuas. “Dua ta shkruaj historinë time dhe do t’i fitoj këta breza të kampionit,” ka deklaruar Dubois.
Usyk, që synon të bëhet për herë të tretë kampion i padiskutueshëm, ka shprehur edhe dëshirën që të boksojë në Ukrainë para se të pensionohet: “E di që një ditë do të boksoj në vendin tim. Dua që lufta të përfundojë, por duhet të përfundojë në mënyrë që të mos kthehet sërish.”
Përgatitjet i ka zhvilluar në Spanjë, pasi kushtet në Ukrainë nuk janë të sigurta për sparing. Usyk, i cili për një kohë iu bashkua forcave të armatosura, mbetet simbol motivimi për bashkëkombësit që përballen me pushtimin rus.