Në Kampin Villaggio Italia në Pejë u zhvillua ceremonia e ndarjes së medaljeve për kontingjentin italian të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR. Komandanti i Komandës Rajonale Perëndim (RC-W), kolonel Francesco Errico, udhëhoqi këtë aktivitet ku ushtarët u dekoruan me Medaljen e NATO-s për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në misionin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Kolonel Errico shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj personelit të dekoruar për kontributin e tyre të rëndësishëm në realizimin e mandatit të KFOR-it.
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, njofton KFOR.