Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka bërë të ditur se janë duke punuar në emërimin e një zyrtari përkatës, në zbatimin e rregullores për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual.
Sipas Sahitit rastet për ngacmimet seksuale do të raportohen te zyrtari që do të emërohet, i cili pastaj do t’i procedojë më tutje te organet përkatëse, si Këshilli i Etikës apo Komisioni Disiplinor.
“Sa i përket ngacmimeve seksuale kemi lëvizje në aspekt pozitiv dhe ju e dini që para disa muajsh Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, e ka hartuar dhe miratua rregulloren kundër ngacmimeve seksuale, ndërkaq sa i përket implementimit në ditëve në vazhdim do të punojmë me gjëra konkrete sa i përket zbatimit të kësaj rregullore që lidhen me emërimin e zyrtarit përkatës, i cili pastaj do të marr të gjitha rastet që do të lajmërohen dhe po ashtu do të hartojë një dinamikë të zbatimit të rregullores, dhe këto do të ndodhin në vijim”, ka thënë ai ë një prononcim për Ekonomia Online.
Tutje Sahiti ka folur për Këshillin e Etikës, i cili sipas tij është funksional që një kohë të gjatë, dhe është duke i trajtuar rastet bashkë me denocimet që nuk kanë munguar.
Në anën tjetër në lidhje me vaksinimin e studentëve, ku shumë vende të rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin e studentëve në universitete, rektori Sahiti tha se këtë nuk e kanë menduar, për shkak të kapaciteve të kufizuara.
“Ne nuk kemi menduar që nëpër fakultete ta organizojmë, megjithatë i kemi kapacitete e kufizuara dhe po e vërejmë që edhe nëpër institucionet u është duke u ofruar vaksinimi ka mjaftë mundësi të vaksinimit, por nuk ka shumë interesim dhe nënkupton se nuk do të kishte ndryshim të madh sikur të ofrohej nëpër fakultete, sido që të jetë pjesa dërmuese e studentëve janë të vaksinuar, prandaj nuk është ndonjë vështirësisë ne mos të vazhdojmë me mbajtjen e mësimit me prezencë fizike, ndërsa dëshmitë e nevojshme janë duke u kërkuar nga njësitë akademike”, është shprehur Sahiti për EO.
Ndërkaq, studentët që nuk kanë certifikatë të vaksinimit atyre do të iu pamundësohet edhe mbajtja e ligjëratave.
“Nuk do të lejohen të vazhdojnë mësimin, dhe është shumë e thjeshtë se mundësitë ekzistojnë, dhe nëse studentët nuk e ofrojnë atë dëshmi ata barten vet përgjegjësi”, ka potencuar rektori i UP-së.
Në lidhje me fillimin e vitit të ri akademik, Sahiti ka përmendur vështirësitë që po hasin disa fakultete për shkak të renovimeve, dhe sipas tij në rastet ku zëvëndësimet janë të domosdoshme ato mund të bëhen në formën online.
“Ajo ndarja vlen për një numër shumë të kufizuar të rasteve, kur numri i grupeve është aq i madh saqë nuk lejon mbajtjen e mësimit në përputhje me kriteret që janë dhënë në vendimin e IKShPK-së, nënkupton rastet kur grupi është më i madh se 50 studentë dhe ku pastaj ata zënë më shumë se 50% të hapësirës, dhe ndarja është bërë një grup të mbajë mësimin një javë dhe pastaj grupi tjetër, kjo është shumë më mirë se në rastin ku krejt mësimi ka shkuar në mënyrën virtuale, ne urojmë që shifrat të mos rriten”, ka thënë mes tjerash Sahiti.
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës me 11 maj ka miratuar Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës e cila zbatohet për të gjithë personelin akademik, jo akademik dhe administrativ.
Universiteti i Prishtinës ka aprovuar rregullore për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimi seksual pas dy dekadave kërkesave nga studentët, njësitë akademike dhe shoqëria civile.