Universiteti i Prishtinës (UP) ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në top dhjetëshen e konkursit ndërkombëtar studentor në fushën e arkitekturës dhe dizajnit ‘Inspireli Awards 2024’, i cili përfshiu 1,362 universitete nga e gjithë bota.
Fakulteti i Arkitekturës në UP e ka bërë të ditur këtë lajm me krenari, duke njoftuar se Universiteti i Prishtinës ka zënë vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme universitare të edicionit të 9-të të këtij konkursi prestigjioz.
Sipas Fakultetit të Arkitekturës, ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të studentëve të tyre në konkurset ndërkombëtare, të cilat janë të integruara në kurrikulat akademike të Fakultetit.
Ky vlerësim i lartë është arritur pas renditjes së Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në Top 10, falë vendit të parë të arritur nga projekti “Sustainable Village – ECOUNITY”, i realizuar nga studentët: Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e Prof. Asst. Rozafa Basha, në kuadër të lëndës Projektim – Banim.
Fakulteti i Arkitekturës ka shënuar këtë sukses me një ceremoni të veçantë të dorëzimit të certifikatës së renditjes për UP-në, nga fituesi i mëparshëm i ‘Inspireli Awards’ dhe tashmë anëtar i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me konkurrentin e sivjetshëm, studentin e nivelit master Florian Shala. Ceremonia është zhvilluar në prani të Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Violeta Nushi.
Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, punës së palodhur të stafit akademik dhe mbështetjes së komunitetit universitar. Fakulteti i Arkitekturës ka përgëzuar studentët dhe të gjithë ata që kontribuan për këtë arritje të jashtëzakonshme, duke uruar një të ardhme të suksesshme për ta