Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten urdhra ekzekutivë për të forcuar mbrojtjen amerikane kundër dronëve kërcënues dhe për të nxitur “taksitë ajrore elektrike” dhe aeroplanët komercialë supersonikë, tha Shtëpia e Bardhë.
Në tre urdhrat ekzekutivë, Trump kërkoi të mundësonte përdorimin rutinor të dronëve përtej pamjes vizuale të operatorëve – një hap kyç për të mundësuar dërgesat komerciale të dronëve – dhe të ndërmerrte hapa për të zvogëluar varësinë e SHBA-së nga kompanitë kineze të dronëve dhe për të filluar testimin e fluturakeve elektrike vertikale (eVTOL)
Siç theksojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Trump po krijon një task-forcë federale për të siguruar kontrollin e SHBA-së mbi qiellin amerikan, për të zgjeruar kufizimet mbi vendet e ndjeshme, për të zgjeruar përdorimin federal të teknologjisë për të zbuluar dronë në kohë reale dhe për të ofruar ndihmë për zbatimin e ligjit shtetëror dhe lokal.
Trump gjithashtu synon të adresojë “kërcënimin në rritje të terroristëve kriminelë dhe keqpërdorimit të dronëve nga të huajt në hapësirën ajrore të SHBA-së”, tha Michael Kratsios, drejtor i Zyrës së Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne po i sigurojmë kufijtë tanë nga kërcënimet e sigurisë kombëtare, përfshirë në ajër, me ngjarje publike në shkallë të gjerë si Lojërat Olimpike dhe Kupa e Botës në horizont”.
Sebastian Gorka, drejtor i lartë i antiterrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, përmendi përdorimin e dronëve në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimet ndaj ngjarjeve të mëdha sportive në SHBA.
“Ne do të rrisim aftësitë dhe kapacitetet kundër dronëve”, tha Gorka. “Ne do të rrisim zbatimin e ligjeve aktuale për të penguar dy lloje individësh: keqbërësit dhe idiotët”.
Trump gjithashtu udhëzoi Administratën Federale të Aviacionit të heqë një ndalim të vendosur në vitin 1973 për transportin ajror supersonik.
“Realiteti është se amerikanët duhet të jenë në gjendje të fluturojnë nga New Yorku në Los Angeles në më pak se katër orë”, tha Kratsios. “Përparimet në inxhinierinë hapësinore, shkencën e materialeve dhe uljen e zhurmës tani e bëjnë fluturimin supersonik jo vetëm të mundshëm, por edhe të sigurt, të qëndrueshëm dhe komercialisht të zbatueshëm”.
Ndërkohë, urdhrat e Trump nuk ndalojnë asnjë kompani kineze të dronëve, thanë zyrtarët.
Vitin e kaluar, ish-presidenti Joe Biden nënshkroi legjislacionin që mund të ndalonte DJI dhe Autel Robotics me bazë në Kinë të shisnin modele të reja dronësh në SHBA.
DJI, prodhuesi më i madh i dronëve në botë, shet më shumë se gjysmën e të gjithë dronëve komercialë amerikanë