Tragjedi në çerdhe: 1-vjeçari vdes nga asfiksia, stafi po festonte ditëlindjen e drejtoreshës
Një djalë 1-vjeçar humbi jetën pasi koka e tij mbeti e bllokuar pas një pasqyre në një çerdhe, ndërsa punonjësit dyshohet se ishin duke festuar ditëlindjen e drejtoreshës.
Abdoulaye Dieng ndërroi jetë nga asfiksia, pasi koka e tij mbeti e bllokuar mes një pasqyre dhe një shufre metalike sigurie në çerdhen Luz do Bras, në qytetin brazilian të Sao Paulo.
Sipas raportimeve, vogëlushi ndodhej në dhomën e lojërave kur koka i mbeti e ngecur mes pasqyrës dhe një shufre metalike. Ai dyshohet se u përpoq të çlirohej për rreth gjashtë minuta, derisa punonjësit u kthyen dhe e kuptuan çfarë kishte ndodhur.
Rreth orës 09:20 të 22 korrikut, stafi i çerdhes iu afrua policisë ushtarake duke e mbajtur fëmijën në krahë. Ai u dërgua me urgjencë në Njësinë e Kujdesit Emergjent në Mooca, ku mjekët vetëm sa konstatuan vdekjen e tij, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Babai i tij, Ibrahima Dieng, e kishte lënë djalin në çerdhe vetëm dy orë më herët. Më pas, ai mori një telefonatë nga punonjësit, të cilët i thanë se “Abdoulaye ishte sëmurë” dhe se po e dërgonin në spital.
Avokati i familjes, Erson de Oliveira, deklaroi se prindërit fillimisht besuan se djali i tyre po merrte ndihmën e nevojshme mjekësore.
Familja pretendon se fëmijët ishin lënë pa mbikëqyrje, pasi punonjësit e çerdhes kishin shkuar për të festuar ditëlindjen e drejtoreshës. Rasti tashmë është nën hetim dhe autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave për vrasje nga pakujdesia.
Policia ka marrë në pyetje pesë punonjës të institucionit, përfshirë drejtoreshën, një koordinatore, një mësuese, një pedagoge dhe një punonjës tjetër.