Time Kadrijaj rikthehet në Padeshin e Brigadës “Agim Ramadani”: Çdo hap më kujtoi sakrificën për lirinë e Kosovës
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka vizituar Padeshin, vendin ku gjatë luftës ishte e vendosur baza e Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kadrijaj tha se rikthimi në këto vende e ktheu pas në kohë, duke kujtuar sakrificat dhe vështirësitë që u përjetuan deri në arritjen e lirisë së Kosovës.
Ajo tregoi se vizitoi vendet ku luftëtarët e UÇK-së kishin qëndruar, ishin strehuar dhe kishin mjekuar të plagosurit, ndërsa takoi edhe bashkëluftëtarë dhe familje që kishin ndihmuar ushtarët gjatë luftës.
Kadrijaj veçoi lëndinën ku, sipas saj, avionët serbë kishin kryer sulme, duke lënë të vrarë e të plagosur shumë ushtarë, si dhe shtëpinë e Hamdiut (Balit), ku ishin strehuar mjekët deri në përfundimin e luftës.
“Aty ku ka qenë shtabi tash ishin veq disa mure të rrënuara. Vazhduam te kufiri tek shtëpia e Sadikut ku u pritëm nga nëna Feride e Arben Hajdinaj. Nga këtu shifet kompleksi memorial i dëshmorëve të Koshares, nga aty shifen fshatrat e Dukagjinit që në kohë lufte digjeshin nga forcat serbe, e në kokën tonë sillej një pyetje, kur do ktheheshim përsëri në votrat tona” shkroi Kadrijaj