Mark Zuckerberg, bashkëthemeluesi i Facebook dhe drejtori i Meta Platforms, mbërriti të mërkurën në një gjykatë në Kaliforni, ku pritet të dëshmojë në një rast historik ligjor mbi varësinë nga rrjetet sociale tek fëmijët.
Ky do të jetë shfaqja e parë e Zuckerberg përpara një jurie pas viteve të kritikave ndaj kompanisë së tij, e cila zotëron edhe Instagram dhe WhatsApp.
Avokatët e Meta kanë argumentuar se paditësja kryesore e këtij rasti, e njohur me inicialet K.G.M., është dëmtuar nga faktorë të tjerë në jetën e saj dhe jo nga përdorimi i Instagramit.
Gjyqi në Los Angeles, ku si i paditur figuron edhe YouTube i Google, po ndiqet me vëmendje për implikimet që mund të ketë për mijëra padi të ngjashme ndaj gjigantëve të rrjeteve sociale. TikTok dhe Snapchat, që gjithashtu ishin pjesë e padisë, arritën marrëveshje para se të fillonte gjyqi, pa bëre publike kushtet e tyre.
Avokatët e K.G.M., e cila filloi të përdorte Instagram dhe YouTube që si fëmijë, akuzojnë firmat e rrjeteve sociale se kanë punuar për të varësuar përdoruesit e rinj, pavarësisht se kanë qenë të vetëdijshëm për rreziqet për shëndetin mendor.
Zuckerberg pritet të përballet me pyetje mbi mënyrën se si është dizajnuar Instagram dhe ndryshimet që kompania ka bërë për të mbajtur përdoruesit të angazhuar. Modeli i biznesit i Meta, i bazuar tek reklamat dhe kohëzgjatja e përdorimit të platformave, pritet gjithashtu të jetë në fokus.
