Komisioni Evropian ka hapur thirrje për oferta që synon të gjenerojë mbi 30 miliardë euro financim publik dhe privat për ndërtimin e shtatë të ashtuquajturave gigafabrika të Inteligjencës Artificiale për të forcuar pavarësinë e Bashkimit Evropian në këtë fushë. 10 miliardë euro do të vihen në dispozicion nga BE-ja dhe shtetet anëtare, ndërsa 20 miliardë eurot e tjera pritet të sigurohen nga investitorë privatë.
Fondet do të mblidhen dhe shpërndahen nga Ndërmarrja e Përbashkët Evropiane për Kompjuterikën me Performancë të Lartë (EuroHPC JU), e cila u krijua në vitin 2020 për të zhvilluar “një ekosistem superkompjuterik të klasit botëror duke bashkuar burimet e Bashkimit Evropian, të vendeve evropiane dhe të partnerëve privatë”.
Domosdoshmëri strategjike për Evropën
Komisioni deklaroi se kjo nismë do të “zgjerojë kapacitetet e Evropës për Inteligjencën Artificiale dhe do t’u japë qasje në infrastrukturë startup-eve, kompanive në rritje (scale-ups), ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, industrisë, universiteteve dhe autoriteteve publike”.
Duke folur për ndërtimin e këtyre objekteve, të cilat do të prodhojnë procesorë të avancuar për Inteligjencën Artificiale, softuer, platforma cloud, lidhje me shpejtësi të lartë dhe qendra të dhënash me efikasitet energjetik, Henna Virkkunen, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, e cilësoi këtë moment si “një pikë të rëndësishme kthese”. Ajo e quajti këtë nismë një domosdoshmëri strategjike për Evropën, sepse zhvillimi i IA-së po përshpejtohet.
BE-ja e varur në teknologji nga SHBA-ja dhe Kina
Aktualisht Bashkimi Evropian ka 19 qendra të dhënash (data centers), të shpërndara nga Spanja deri në Finlandë.
