Reperi Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik ‘Fero’, është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj reperit gjilanas për dhunën psikologjike, ngacmimin dhe kanosje të ushtruar ndaj ish-bashkëshortes së tij, modeles Arbenita Ismajli.
Nga qershori deri në tetor 2024, Fero dyshohet se ka shkaktuar në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike ndaj Arbenitës, duke e ofenduar dhe shqetësuar me thirrje të shumta dhe takime për të marrë apo dorëzuar fëmijën në qendrën për punë sociale në Gjilan.
Aktakuza e Prokurorisë përshkruan edhe ngacmimet e vazhdueshme verbale dhe fizike që Fero i ka bërë modeles, përfshirë edhe puthjen kundër dëshirës së saj, duke i thënë se “ti je gruja jeme unë kam të drejt me flejt me ty” dhe duke e cenuar lirinë dhe pëlqimin e saj.
Në shtator 2024, situata ka eskaluar me kërcënimet serioze nga reperi, i cili thuhet se i ka thënë ish-bashkëshortes: “ki me ma ni zonin… të vraj, e ta nxjerri shpirtin”.
Prokuroria sqaron se përmes mesazheve në WhatsApp, Fero e ka kanosur Arbenitën me fjalë të rënda dhe kërcënime për jetën e saj.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria ka paraqitur provat e nevojshme dhe ka propozuar që i pandehuri të dënohet sipas ligjit.
Mbrojtësja e Feros, avokatja Bedrie, ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës, por ka refuzuar të japë detaje për shkak të natyrës familjare të çështjes.
Fero u arrestua më 11 korrik 2023 për sulm fizik ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Pas një periudhe dyvjeçare pauze nga muzika, reperi është rikthyer kohët e fundit dhe dy muaj më parë publikoi projektin e tij të parë pas dy viteve.