Ish-komandantit të UÇK-së, Nuredin Lushtakut, i është vazhduar paraburgimi nga Gjykata e Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, zyra për informim e Gjykatës së Mitrovicës.
“Prokuroria ka bërë kërkesë për vazhdimin e kësaj mase dhe gjykata ka vendosur zgjatjen e masës së paraburgimit për 2 muaj”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Deri te ky vendim erdhi pasi Prokuroria e Mitrovicës kërkoi vazhdimin e masës së paraburgimit.
“Prokurorja ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre (3) personat që gjenden në paraburgim”, ka bërë të ditur Prokuroria e Mitrovicës për Nacionalen.
Përveç Nuredin Lushtakut, të arrestuar janë edhe i biri i tij, Arbër Lushtaku dhe vëllau Faton Lushtaku.
Të tre po dyshohen se kanë sulmuar dy policë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Masën e paraburgimit e kishin kundërshtuar avokatët, por që edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar herën e kaluar këtë masë.
Sipas policisë deri të incidenti ka ardhë pasi policia shqiptoi gjobë për kundëvajtje në trafik dhe pastaj të dyshuarit kanë sulmuar dy zyrtarët policorë.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR Skenderaj 02.07.2022 – 23:55. Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngajrjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin e PK-së.
Si ndodhi rasti?
Prokuroria Themelore në Mitrovicë konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda kishte kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj djalit të Nuredin Lushtakut, Arbër Lushtaku dhe vëllait të tij Faton Lushtaku.
Po ashtu Prokuroria ka kërkuar ndalim për Nuredin Lushtakun por i cili deri me tani nuk ështa hasur nga policia.
“Mitrovicë, 04 korrik 2022 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë.Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale.”, thuhet në njoftim.
Kjo masë ishte kundërshtuar nga avokatët mbrojtës.