Nuredin Lushtaku, ish-deputet i kuvendit, është liruar nga paraburgimi. Ai bashk me dy familjarë dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Pas lirimit nga burgu Tahir Lushtaku, familjar i Nuredin Lushtakut ka publikuar fotografi me ish-deputetin, Nuredin Lushtakun.
“Sot ditë me bereqet”, ka shkruar kushëriri i Nuredin Lushtakut krahas fotos së publikuar.
Më 4 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Lushtakut dhe dy familjarëve të tij.
Të njëjtit dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në Skenderaj, ku dy policë u plagosën pas një përleshjeje me disa persona, ku të përfshirë dyshohet se janë Lushtaku dhe familjarët e tij.
Sipas, prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja ka nisur pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku. Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.