Vera e nxehtë e vitit 2026 në Evropë i kushtoi jetën rreth 50.000 njerëzve, sipas vlerësimeve të studiuesve britanikë, duke u bërë kështu vera më vdekjeprurëse e regjistruar deri më sot. Pothuajse dy të tretat e viktimave (65 për qind), sipas studiuesve, lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.
Për studimin, studiues nga Imperial Grantham Institute në Britani dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine matën vdekshmërinë e tepërt të shkaktuar nga temperaturat e larta.
Si bazë u përdorën të dhëna nga 854 zona urbane në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Britania e Madhe, Norvegjia dhe Zvicra. Në rajonet e analizuara jetojnë rreth 40 për qind e popullsisë së përgjithshme të këtyre 30 vendeve.
16.000 viktima nga të nxehtit në Gjermani
Për krahasim, në vitet më të nxehta të regjistruara deri më tani, rreth 29.000 njerëz humbën jetën nga i nxehti në vitin 2022, ndërsa rreth 28.000 në vitin 2003. Më të goditura ishin vendet e Evropës Jugore dhe Perëndimore. Megjithatë, edhe në shtetet tradicionalisht më të freskëta u regjistruan mijëra viktima. Për Britaninë e Madhe, studiuesit vlerësojnë rreth 4.500 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.
Për Gjermaninë, edhe Instituti Robert Koch (RKI) në Berlin publikoi në mesin e shtatorit shifra të ngjashme. Sipas tyre, vetëm gjatë kësaj vere në Gjermani kanë humbur jetën nga i nxehti rreth 16.000 njerëz.
Sipas studiuesve britanikë, qershori i vitit 2026 pati pasoja veçanërisht dramatike në Evropë. Sipas vlerësimeve të tyre, pothuajse një e treta e të gjitha vdekjeve të shkaktuara nga të nxehtit u regjistruan në periudhën nga 17 qershori deri më 1 korrik.

