Në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal që në ditët e para të këtij muaji, ndërkohë që interesimi i qytetarëve për të marrë këtë vaksinë po rezulton të jetë mjaft i lartë. Derisa procesi i imunizimit po vazhdon, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe rastin e parë me grip sezonal për këtë sezon, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit për mbrojtjen e shëndetit publik.
Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke bërë thirrje për pjesëmarrje më të madhe në vaksinim, konfirmoi se në IKSHPK tashmë është regjistruar rasti i parë me grip sezonal për këtë vit.
Hoti theksoi se vaksina do të ofrohet falas për grupet më të rrezikuara, përfshirë personat mbi 65 vjeç, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muaj dhe punëtorët shëndetësor.
“Ditë më parë në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal meqenëse vaksinat kundër gripit janë siguruar me kohë, janë rreth 86 mijë doza të cilat do të përdoren për vaksinimin e grupeve prioriatare me rrezik siç janë personat mbi moshën 65 vjet, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët nga mosha 6 muajshe e lartë, si dhe personat tjerë që kanë imunitet të kompromituar. Sivjet vaksinimi ka filluar me kohë dhe ne si institucione bëjmë thirrje qytetarëve që të drejtohen në qendrat e vaksinimit.. që ta marrim vaksinën meqë sivjet shihet që mund të kemi raste dhe ne si IKSHP vetëm se kemi regjistruar 1 rast të gripit sezonal”, shprehet ai.
Sipas Faik Hotit nga IKSHPK, mijëra qytetarë janë tashmë të vaksinuar kundër gripit sezonal, por ai nënvizon se është e domosdoshme që edhe personeli shëndetësor të përfshihet në procesin e imunizimit.
“Vaksinimi ka filluar në fillim të tetorit në javën e parë interesimi është jashtëzakonisht i mirë, ne shohim raportet nga qendrat e mjekësisë familjare ka një interesim të shtuar dhe ajo që është pozitive njerëzit në Kosovë e kanë kuptuar që kultura parandaluese apo parandalimi është mënyra më efektive për t’iu përgjigjur çdo sfide të shëndetit publik në rastin konkret gripit”, tha ai.
