Një studim i ri sugjeron një lidhje të pazakontë mes hipertiroidizmit dhe disa tipareve problematike të personalitetit, si impulsiviteti i lartë, mungesa e empatisë dhe prirjet manipuluese. Ekspertët theksojnë se bëhet fjalë për gjetje paraprake dhe jo për etiketime apo diagnoza automatike.
Hipertiroidizmi – rreth dhjetë herë më i shpeshtë te gratë sesa te burrat – shfaqet kur gjëndra tiroide prodhon tepër hormone. Kjo gjendje shoqërohet me simptoma si luhatje humori, pagjumësi, rrahje të shpejta zemre, nervozizëm dhe ankth.
Sipas studimit, personat me hipertiroidizëm rezultuan me nivele më të larta të asaj që psikologjia e quan “tipare të errëta të personalitetit”, përfshirë psikopatinë, makiavelizmin dhe sadizmin, krahasuar me individët me funksion normal të tiroides. Studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë se këta persona janë domosdoshmërisht të rrezikshëm, por se mund të kenë më shumë prirje drejt antagonizmit dhe empatisë së reduktuar.
Studimi u krye nga Ashkelon Academic College në Izrael dhe përfshiu 154 të rritur që plotësuan pyetësorë online. Prej tyre, 49 kishin hipertiroidizëm, 52 hipotiroidizëm dhe 53 nuk kishin asnjë çrregullim të tiroides. Pjesëmarrësit u pyetën për qëndrime dhe sjellje që lidhen me manipulimin, impulsivitetin, mungesën e ndjeshmërisë dhe kënaqësinë nga dominimi i të tjerëve.
Rezultatet treguan se grupi me hipertiroidizëm shënoi vlera më të larta në pyetje që lidhen me impulsivitetin, ftohtësinë emocionale, sadizmin dhe cinizmin. Sipas autorëve, këto gjetje përputhen me studime të mëparshme që lidhin nivelet e larta të hormoneve tiroide (T3 dhe T4) me rritje të agresivitetit, nervozizmit dhe sjelljes impulsive.
