Një studim i madh ndërkombëtar ka treguar se pacientët me kancer të hershëm të rektumit mund të shmangin operacionin e madh dhe vendosjen e qeses së kolostomisë, falë një kombinimi të kimioterapisë dhe radioterapisë, raporton BBC.
Studimi STAR-TREC, i udhëhequr nga Universitetet e Leeds dhe Birmingham, përfshiu më shumë se 400 pacientë në qendra të kancerit në Evropë. Rezultatet, të publikuara në “Lancet Oncology” dhe të financuara nga Cancer Research UK, sugjerojnë se trajtimi për ruajtjen e organit mund të jetë alternativë reale për shumë pacientë me kancer të hershëm të rektumit.
Zakonisht, këta pacientë i nënshtrohen një ndërhyrjeje komplekse, të njohur si ekscizioni total i mezorektumit (TME), gjatë së cilës hiqen rektumi, indi dhjamor përreth dhe nyjet limfatike. Edhe pse ka shkallë të lartë suksesi, operacioni mund të ndikojë ndjeshëm në jetën e pacientëve dhe të kërkojë kolostomi të përkohshme ose të përhershme.
Në studim, për deri në 12 muaj, katër në pesë pacientë që morën kimioterapi dhe radioterapi shmangën operacionin e madh, krahasuar me tre në pesë pacientë që morën vetëm radioterapi. Pacientët u ndoqën për 30 muaj, ndërsa rezultatet afatgjata pritet të publikohen në vitin 2027. Ata te të cilët trajtimi nuk e zhduku plotësisht kancerin iu nënshtruan më pas operacionit.

