Një tjetër valë e të nxehtit intensive po formohet mbi Atlantik, për çka Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se mund të bëjë që Evropa të përballet me “javë vdekjeprurëse” të të nxehtit.
Ndërsa temperaturat në Portugali dhe jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në ditët në vijim, drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, zhvilloi të hënën një takim urgjent virtual me përfaqësues të 41 vendeve të rajonit, Komisionit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile për të analizuar mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe përgatitjet për temperaturat e larta që priten.
Sipas Kluge, vendet që kanë hartuar plane veprimi për mbrojtjen e shëndetit nga temperaturat ekstreme reaguan më shpejt dhe arritën të mbrojnë më mirë qytetarët gjatë valës së të nxehtit në fund të muajit qershor. Megjithatë, ai theksoi se më pak se gjysma e shteteve anëtare të OBSH-së në Evropë kanë plane të tilla në fuqi.
Ekspertët e klimës kanë vlerësuar se vala e të nxehtit e periudhës 20–28 qershor ishte më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë, duke shkaktuar ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtime në infrastrukturë dhe mbingarkesë të sistemeve shëndetësore.
