Një numër i vogël fëmijësh, pas një infeksioni streptokoksik i fytit, përjetojnë shpërthime të menjëhershme të ndryshimeve neuropsikiatrike – nga tike e OCD (Çrregullim Obsesiv-Kompulsiv), te ankthi ekstrem, agresiviteti dhe çrregullimet e gjumit. Shkencëtarët po zbërthejnë gjithnjë e më shumë se si ndodh ky mekanizëm .
Rasti i Charlie Drury nga Ilinoisi i ShBA-së e tregon qartë rrezikun. Ditëlindja e tij e tetë në nëntor 2012 nisi me tortë e dhurata, por mbrëmja solli një kthesë të frikshme: tike në sy, nuhatje obsesive të duarve dhe ethe. Brenda javësh, sjellja e tij u përmbys: hipersensitivitet ndaj erërave, ankth ndarjeje, refuzim i gjumit e higjienës, halucinacione dhe vështirësi në lexim e shkrim, transmeton Klankosova.tv.
“E humba fëmijën tim brenda një dite”, thotë nëna e tij, Kate Drury, për BBC. Pas më shumë se një muaji pasigurie, mjekët vendosën diagnozën: PANDAS – “çrregullime neuropsikiatrike autoimune pediatrike të lidhura me infeksionet streptokoksike”.
Çfarë është PANDAS dhe si shfaqet?
“Për arsye të kuptueshme, prindërit tmerrohen”, thotë Shannon Delaney, neuropsikiatre e fëmijëve/adoleshentëve në New York. “Shpesh e përshkruajnë si: ‘Sikur fëmija im nuk është më aty, sikur është i pushtuar’”, citohet nga BBC.
Çfarë ndodh në tru?
Hipoteza dominuese – e përshkruar fillimisht nga studiues të Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH) në ShBA në vitet 1990 – sugjeron një gabim të sistemit imunitar: te disa fëmijë, pas infeksionit me streptokok, krijohen antitrupa që, në vend se të luftojnë bakterin, sulmojnë indet e shëndetshme, përfshirë trurin. “Streptokoku i gabuar, tek fëmija i pafat… çon në një përgjigje imune të devijuar”, shpjegon Susan Swedo, ish-drejtore e degës së neuroshkencës pediatrike në NIH dhe tani zyrtare shkencore në PANDAS Physicians Network.
Studime të shumta tregojnë inflamacion dhe ndryshime në ganglionet bazale – rajone të trurit të lidhura me kontrollin motorik, të nxënit, vendimmarrjen dhe përgjigjet emocionale – të cilat lidhen edhe me OCD. “Këto gjetje janë të rëndësishme sepse tregojnë se kemi të bëjmë me një çrregullim real autoimun, jo vetëm me një çështje thjesht psikologjike”, thotë Jennifer Frankovich, reumatologe pediatre dhe drejtuese e Stanford Immune-Behavioral Health Program, sipas BBC.
Përveç streptokokut, infeksione të tjera respiratore si gripi, si dhe Sars-CoV-2 (Covid-19), janë lidhur me përkeqësim ose ndezje të simptomave; gjithashtu, infeksionet nga rriqrat (Lyme) mund të jenë katalizatorë, bazuar në përvojën klinike të Delaneyt, përcjell BBC.
Sa serioze është dhe si trajtohet?
Simptomat shpesh vijnë me shpërthime dhe mund të qetësohen për periudha të gjata, për t’u rikthyer pas një infeksioni tjetër. Sipas udhëzimeve klinike, trajtimi i hershëm mund të bëjë diferencë: antibiotikë, steroide dhe madje qetësues dhimbjeje pa recetë në disa raste. Në forma të rënda ose të zgjatura, përdoren IVIG (imunoglobulina intravenoze) dhe plazmafereza.
Në vitin 1999, ekipi i “Swedo”-s publikoi rezultate që sugjeronin se IVIG dhe plazmafereza ndihmojnë simptomat e PANDAS. Por shkenca nuk është plotësisht e mbyllur: një studim i vogël në 2016 nuk gjeti dallim statistikisht domethënës mes IVIG dhe placebos, ndërsa një rishikim evropian në 2018 kërkoi hulumtim më rigoroz. Megjithatë, shumë familje raportojnë përmirësime domethënëse pas IVIG. “Është absurd që fëmijët ende nuk po marrin ndihmën”, thotë Swedo për BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sfida kryesore mbetet qasja në kujdes: një studim i regjistrit ndërkombëtar të PANS tregoi se 87% e fëmijëve hasën vështirësi në sigurimin e trajtimit (mungesë specialistësh, mbulim sigurimesh etj.). OBSh e ka përfshirë PANDAS në klasifikimin ndërkombëtar të sëmundjeve; në Mbretëri të Bashkuar çështja u trajtua në një seancë parlamentare në 2023. Ndërkohë, një raport i 2025 nga Akademia Amerikane e Pediatrisë e cilësoi PANS si diagnozë “përgjithësisht të vlefshme”, por theksoi se mungon ende evidenca e standardizuar për një proces diagnostik të qartë, shkruan BBC.
