Një klasë ilaçesh të quajtura beta-bllokues (beta-blockers) – të përdorur për dekada si trajtim i linjës së parë pas një sulmi në zemër – nuk u sjell përfitime shumicës dërrmuese të pacientëve dhe mund të kontribuojë në një rrezik më të lartë shtrimi në spital dhe vdekjeje te disa gra, por jo te burrat, sipas një kërkimi të ri revolucionar.
“Këto gjetje do t’i riformësojnë të gjitha udhëzimet klinike ndërkombëtare për përdorimin e beta-bllokuesve te burrat dhe gratë dhe duhet të nxisin një qasje të re, të bazuar te gjinia, në trajtimin e sëmundjes kardiovaskulare”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Valentin Fuster, kryetar i Mount Sinai Fuster Heart Hospital në New York dhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare për Kërkime Kardiovaskulare në Madrid.
Gratë me pak dëmtime të zemrës pas sulmeve që u trajtuan me beta-bllokues kishin dukshëm më shumë gjasa ta pësonin një tjetër sulm në zemër ose të shtroheshin në spital për dështim të zemrës – dhe pothuajse tre herë më shumë gjasa të vdisnin – krahasuar me gratë që nuk e morën ilaçin, sipas një studimi të botuar në European Heart Journal dhe që pritet të prezantohet gjithashtu të shtunën në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid, shkruan CNN.
“Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për gratë që merrnin doza të larta të beta-bllokuesve”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Borja Ibáñez, drejtor shkencor i Qendrës Kombëtare për Kërkime Kardiovaskulare në Madrid.
“Numri total i grave në provën klinike ishte më i madhi ndonjëherë i përfshirë në një studim që testonte beta-bllokuesit pas infarktit të miokardit (sulmit në zemër), prandaj ky është një zbulim i rëndësishëm”, tha Ibáñez, kardiolog në Spitalin Universitar të Fondacionit Jiménez Díaz në Madrid.
Megjithatë, gjetjet zbatoheshin vetëm për gratë me një fraksion ejeksioni të barkushes së majtë mbi 50%, e cila konsiderohet funksion normal, tha studimi. Fraksioni i ejeksionit është një mënyrë për të matur sa mirë ana e majtë e zemrës pompon gjak të oksigjenuar nëpër trup. Për këdo me një rezultat nën 40% pas një sulmi në zemër, beta-bllokuesit vazhdojnë të jenë standardi i kujdesit për shkak të aftësisë së tyre për t’i qetësuar aritmitë e zemrës që mund të shkaktojnë një sulm të dytë.
